Pas promovimit të librit “Hyj nga dera”, Sylë Maxherra lanson këngën “Qaj për ty” (VIDEO)

22 Tetor, 2021 - 1:20 pm

                 

Sylë Maxhera është një personazh krejt atipik në skenën artistike, dhe tashmë gjithashtu muzikore të Kosovës.

Me banim në kryeqytetin e Spanjës, në Madridin perandorak ku muzika dhe arti ngaherë kanë gjetur mjedisin e duhur për t’u harlisur dhe për t’i dhënë botës disa nga tingujt dhe meloditë më të shquara në shekujt e fundit, Sylë Maxhera ka krijuar një përvojë të vyer në fushën e muzikës gjatë dhjetëvjeçarëve të shkuar, gjersa tani muzika e kompozuar dhe kënduar prej tij, përqafon artdashësit shqiptarë falë këngës së porsa publikuar prej këtij artisti, me titull “Qaj pwr tw”.

Kjo baladë Rock vjen me ritme të rrëmbyera dhe plot energji jetësore, duke shpërfaqur frymëzimin e pashtershëm të kantautorit, për të ndihmuar në zbutjen e dhimbjes në çdo këndvështrim, për këdo, përkundër dallimeve ndërnjerëzore, mbase duke synuar shërimin falë muzikës dhe tekstit poetik të kësaj kënge, që është shkëputur nga përmbledhja me poezitë e këtij poeti këngëtar e muzikant, e botuar në muajin shtator të këtij, me titull “Hyj nga dera”.

Sylë Maxhera, sportist me bagazh të gjerë suksesesh, i cili ka nderuar Kosovën nga Gjermania në Spanjë, gjatë karrierës së tij sportive, dhe ambasador i kulturës së shqiptarëve të Kosovës në Spanjë, tashmë përvijohet edhe në dimensionin muzikor në artin e lëvruar prej tij, dhe doemos kënga e tij e re, “Qaj për të”, përbën hapin e mëtejshëm të suksesshëm në rrugëtimin e tij jetësor artistik./ KultPlus.com

Të ngjajshme