16 Maj, 2024 - 11:30 am
Pianistja e njohur Lule Elezi paraqitjen e radhës në nivel ndërkombëtar e shënoi në Qendrën Evropiane për Art dhe Kulturë në Sanniki të Polonisë, e cila përpos koncertit recital në piano, po në të njëjtën mbrëmje ka përcjellë në piano edhe aktoren e mirënjohur polake Paulina Holtz, shkruan KultPlus.
Për këtë paraqitje pianistike ka njoftuar vet pianistja Elezi, e cila këtë paraqitje e përshkruan si një mbrëmje të mrekullueshme.
Më poshtë po e sjellim të plotë njoftimin e pianistes Elezi.
Ishte një privilegj dhe kënaqësi e jashtëzakonshme që përpara një audience të mrekullueshme e frymëzuese të mbaja koncert recital në Qendrën Evropiane për Art dhe Kulturë në Sanniki, Poloni, e cila mban emrin e kompozitorit më romantik të botës së muzikës Frédéric Chopin, i njohur si “ Poeti i pianos”.
Ishte një përjetim magjik, një nder dhe mundësi e rrallë për çdo artist, të luaja vepra të Shopenit pikërisht në Pallatin Aristokrat Mbretëror në të cilin në vitin 1828 Shopeni kaloi pushimet verore duke kompozuar veprat Rondo në C-dur dhe Trio në G- mol.
Mbrëmja u bë edhe më e veçantë kur pas Koncertit tim recital shoqërova në piano aktoren e mirënjohur polake Paulina Holtz Paulina Holtz – praca&pasja, një nga personalitetet artistike më të dashur dhe admiruar në Poloni e më gjërë ,teksa ajo recitoi poezi të periudhës së romantizmit nga poetë Ballkanik, të kushtuara dashurisë.
“ Unë do të krijoj një botë të re për vehten time” tha Shopeni, e në fakt, me muzikën e tij ai krijoi një botë të re për të gjithë botën e për të gjithë brezat e ardhshëm.
Kjo është magjia e muzikës e sidomos e Shopenit, ndaj edhe Koncerti im recital në mjediset ku frymoi dhe krijoi Shopeni do mbetet i paharruar!
Për organizimin e këtij eventi falenderoj përzemërsisht zonjat e nderuara, Aleksandra Głowacka dhe Jola Róg./ KultPlus.com