“Pasqyra”, si reflektim i ndjenjave përmes vallëzimit

4 Gusht, 2018 - 5:30 pm

Alberina Haxhijaj

DokuKids sjellë reflektimin e ndjenjave përmes vallëzimit në kuadër të punëtorisë “Pasqyra”, shkruan KultPlus.

Rreth 50 fëmijë të moshave të ndryshme duke filluar nga 6-10 vjet janë radhitur në sallën e baletit në Gjimnazi “Loyola” në Prizren. Të gjithë ata përmes lëvizjeve janë duke reflektuar mbi vetën e tyre, duke shfaqur emocionet e tyre ashtu siç ato janë.

Në fakt ky është edhe qëllimi i gjithë kësaj punëtori, tregon për KultPlus koreografi Prek Memaj.

“Punëtoria është një trajnim intensiv i vallëzimeve dhe është përshtatur për fëmijët që dëshirojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre të vallëzimit. Rrjedha e koreografisë e cila po punohet paraqet një metodë për reflektimin e ndjenjave përmes vallëzimit”, shprehet ai.

Pikërisht fëmijët shfaqen të emocionuar që po marrin pjesë në këtë punëtori. Disa prej tyre provojnë vallëzimin për herë të parë e të tjerë tashmë kanë njohurit bazë. Por asnjëri nuk nguron që të shoqërojë koreografin gjersa ai ua jep udhëzimet.

Fillimisht ata fillojnë me ngrohjet e muskujve. “Bëni lëvizje të çrregullta, zgjatuni shumë, ndërroni vendet tuaja gjersa lëvizni” janë fjalët që Memaj ua thotë fëmijëve gjersa ata bëjnë ushtrime e para. Kështu të gjithë fëmijët fillojnë lëvizjet e tyre të çrregullta rreth e rreth sallës, me buzëqeshje dhe më manovrime të shpejta që të mos ngatërrohen në rrugët e njëri-tjetrit. E pas tyre ata praktikojnë disa nga pikat të cilat i kanë përgatitur për performancën e tyre e cila do shfaqet ditën e fundit të festivalit.

“Fëmijët në përgjithësi janë pak të mbylltë mirëpo adaptohen edhe me koreografinë edhe me temën dhe fillojnë që të reflektojnë. Dita e parë është pak e vështirë për secilin por ngadalë ata fillojnë që të shfaqin ndjenjat e tyre. Besoj që ata më së shumti arrijnë që t’i shfaqin ato në fund”, shprehet Memaj.
Në koreografi do të përdoren mjetet të ndryshme duke mos harruar edhe pasqyrat, element që po zë vend të veçantë në këtë edicion i cili në qendër të tij e ka ‘Rflektimin’.

“E gjithë ideja e punëtorisë është që për nëntë ditë t’i përshtatemi temës së festivalit dhe të realizojmë një koreografi e cila më pas do të shfaqet para publikut”, thekson Prek Memaj.

Performanca finale do të jetë më 11 gusht duke filluar nga ora 16:00 te Sheshi Shadervan, në Prizren. Një lokacion i tillë sipas koreografit është zgjedhur pasi që në këtë formë të gjithë fëmijët janë në qendër.

“Ata do jenë të rrethuar nga publiku, askush nuk do të jetë i pari e askush i nuk do mbetet i fundi. Të gjithë do jenë të barabartë kjo do ju mundësoj që të gjithë të jenë në kontakt me publikun dhe të shfaqin ndjenjat e tyre. Gjithë kjo përvojë është shumë interesante për fëmijët pasi që ata për një periudhë të shkurtë arrijnë që të realizojnë një koreografi. Kjo edhe e bënë këtë performancë të veçantë”, thotë ai.

Në kuadër të DokuKids është do të mbahet edhe punëtoria “Rainbow” ku fëmijët do kenë mundësin që të reflektojnë dhe të vlerësojnë gjërat e vogla. Pastaj “Dark Room Laboratory”, ku të vegjlit do të mësojnë si ndërtohen dhomat e errëta si dhe çfarë kërkohet për t’u zhvilluar një fotografi. Kjo punëtori do të fokusohet në mbledhjen e objekteve përreth qytetit të cilat do të fotografohen dhe paraqiten në një ekspozitë.

Këtë vit është hera e parë që në DokuKids fëmijët pjesëmarrës po ashtu do të shpërblehen edhe me certifikata. / KultPlus.com

Të ngjajshme