3 Maj, 2025 - 5:25 pm
Sunny Hill Festival zbulon artisten e parë të nivelit botëror që do të ngjitet në platformën e re gjigante të skenës së muzikës elektronike: Peggy Gou!
Peggy Gou, ikona botërore e muzikës elektronike, e njohur për setet e saj energjike dhe hitet që pushtojnë skenat dhe festivalet më të mëdha nëpër botë, do të jetë një nga emrat kryesorë që do të elektrizojë mijëra adhurues të muzikës elektronike në edicionin e ri të Sunny Hill Festival, i cili këtë vit fillon nga 1 deri më 3 gusht.
Sunny Hill Festival ka njoftuar zyrtarisht se Peggy Gou është artistja e parë nga gjashtë artistë kryesorë të këtij viti. Emrat e performuesve të tjerë do të zbulohen në ditët në vijim.
“Përveç yjeve ndërkombëtarë, edicioni i vitit 2025 do të sjellë një numër madh të artistëve, me rreth 60 emra vendorë dhe të huaj që këtë vit do të performojnë në Sunny Hill Festival. Po ashtu këtë vit, skenat janë disa herë më të mëdha se ato të edicionit të kalur duke premtuar kështu një eksperiencë vizuale shumë më të veçantë”, kanë bërë të ditur organizatorët.
Me origjinë nga Koreja e Jugut, Peggy Gou është bërë një nga emrat më të dashur të skenës globale të muzikës elektronike, falë stilit të saj të veçantë që ndërthur kulturën aziatike me ritmet bashkëkohore të house dhe techno.
Superhiti i saj “(It Goes Like) Nanana” pushtoi skenën muzikore gjatë verës së kaluar, duke dominuar top-listat muzikore dhe skenat më të mëdha të festivaleve në mbarë botën. Me këngë si “It Makes You Forget (Itgehane)” dhe “Starry Night”, ajo ka krijuar një identitet unik që i flet një audience globale.
Rritja e saj nga një sensacion në TikTok në një ikonë të vërtetë të muzikës elektronike ka qenë spektakolare – dhe tani, ajo vjen në skenën e Sunny Hill Festival 2025 për të sjellë një natë të paharrueshme, plot energji pozitive.
Ajo është artistja e parë që zbulohet, nga lista e performuesve në skenën C4. Është fjala për skenën që Festivali inaguroi vitin e kaluar, me titull që vjen si nderim për hyrjen e ndërtesës në Ulpianë, Prishtinë ku familja Lipa ka jetuar më herët. Skenë kjo që këtë vit vjen me pamje të re dhe më përmasa shumë me të mëdha se vitin e kaluar.
Performanca e Peggy Gou pritet të jetë një nga momentet kulmore të edicionit të sivjetmë, duke i dhënë festivalit një tjetër dimension ndërkombëtar dhe duke forcuar më tej statusin e Sunny Hill si një nga festivalet më të rëndësishme në rajon.
Shitja e biletave “Early Bird” tashmë ka filluar, ndaj sigurohuni të mos e humbisni mundësinë për të qenë pjesë e këtij edicioni: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025 / KultPlus.com