Përvjetori i ndarjes nga jeta të Aretha Franklin – Kujtohet “Mbretëresha e Soul-it

16 Gusht, 2025 - 8:25 pm

Sot shënohet përvjetori i ndarjes nga jeta të Aretha Franklin, artistes që u njoh në mbarë botën si “Mbretëresha e Soul-it”. Më 16 gusht 2018, Franklin u shua në moshën 76-vjeçare pas një beteje me kancerin në pankreas, duke lënë pas një trashëgimi muzikore dhe kulturore të paçmuar.

E lindur më 25 mars 1942 në Memphis të Tennesse-it, ajo nisi të këndonte në moshë të vogël në korin e kishës, për t’u bërë më vonë një nga zërat më të fuqishëm të shekullit XX. Me këngë ikonike si Respect, (You Make Me Feel Like) A Natural Woman dhe Think, Franklin nuk bëri vetëm histori në muzikë, por u kthye edhe në një simbol të fuqizimit të grave dhe të luftës për të drejtat civile.

Gjatë karrierës së saj, Aretha Franklin fitoi 18 çmime Grammy, shiti miliona albume dhe u bë gruaja e parë që u fut në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 1987. Zëri i saj jehonte në momente historike për SHBA-në, përfshirë inaugurimet presidenciale, duke e shndërruar në një figurë që bashkonte artin dhe politikën.

Edhe pse janë kaluar vite nga ndarja e saj nga jeta, muzika e Aretha Franklin mbetet po aq e fuqishme dhe frymëzuese. Përvjetori i saj kujton një artiste që i dha botës jo vetëm këngë të paharrueshme, por edhe një mesazh të fortë për dinjitet, respekt dhe barazi./KultPlus.com

Të ngjajshme