Petrit Çeku me recital live nga dhoma: Ndjehem sikur ishim bashkë në ato momente

16 Mars, 2020 - 11:16 am

Pothuajse në gjithë botën janë ndalur të gjitha aktivitetet kulturore e artistike për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që është krijuar me rastin e shpërndarjes së Koronavirusit. Italianët, aty ku virusi u shpërnda në masë të madhe, duke qenë në karantinë, janë munduar të gjejnë mënyra të ndryshme se si të argëtohen dhe ta mposhtin panikun nga ky virus. Duke dalë në ballkone atë bënë muzikë e kënduan, duke i dhënë mesazh gjithë botës se jeta duhet shijuar në çdo mënyrë, shkruan KultPlus.

Por, një veprim të jashtëzakonshëm e ka bërë edhe kitaristi shqiptar Petrit Çeku.

Ai ka zgjedhur një tjetër formë, që përmes artit të tij të jetë më afër njerëzve në këto kohë të vështira.

Duke qenë i izoluar në banesën e tij në Zagreb, ai ka vendosur të mbajë një recital me veprat e Schubertit.

 Në një lidhje Live në Facebook ai ka arritur të mbledhë një numër të madh njerëzish në recitalin e tij më të veçantë ndonjëherë. Për gati gjysmë ore, ai solli gjashtë vepra të kompozitorit austriak Franz Peter Schubert. Nga gjithë sallat e mëdha që ka shkelur Çeku, dhoma e tij dukej sikur ishte një hapësirë ideale për atë recital e sikur atij po i jepte qetësinë e botës.

Ai përmes një statusi në Facebook, falënderoi të gjithë ata që e përcjellën recitalin e tij, duke potencuar faktin se ishin pothuajse 10 mijë njerëz nga e gjithë bota që e shikuan Live recitalin e tij të vogël.

“Ndjehem sikur ishim bashkë në ato momente. Të mos harrojmë se megjithëse jemi të bllokuar në shtëpitë tona, ne jemi bashkë në këtë”, ka shkruar Petriti në Facebook. / KultPlus.com

I will start playing Schubert at 9pm CET.

Gepostet von Petrit Çeku am Freitag, 13. März 2020

Të fundit

Të ngjajshme