Pianistja Anila Aliu, fituese e Çmimit Special të Chopin Piano Fest Prishtina

6 Korrik, 2018 - 4:19 pm

Çmimi Special i festivalit pianistik Chopin Piano Fest Prishtina tashmë është çmim tradicional i festivalit që i ndahet një pianisti/pianiste të re, ndërsa fituesja e dytë e këtij çmimi është pianistja Anila Aliu, shkruan KultPlus.

Ky Çmim ndahet me mbështetjen e Dr. Herbert Groeger nga Bad Honnef/Salzburg në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci, e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij Çmimi special në vitin 2017.

Juria e përcaktuar për edicionin e sivjetmë të Çmimit ishte Ardita Statovci, Gotliewb Wallisch dhe Klevis Gjergji të cilët pas vlerësimit të performancave kanë zgjedhur fituese pianisten Anila Aliu.

Anila Aliu mëson piano në Shkollën e Muzikës në Gjilan tek prof. Visar Osmani me të cilin edhe aktualisht përfundon shkollimin e Mesëm – drejtimin Interpret Muzikor- Piano.

Sukseset e saja filluan qysh nga paraqitjet e para skenike. Në garën “Pianisti i Ri”, që nga viti 2009 mori vende të para dhe çmime absolute duke kulmuar me çmimin “Solist- Interpret me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës” dhe çmimin “Pjesëmarrje në garat ndërkombëtare në Kaunas të Lituanisë”.

Koncerti me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës u realizua me shumë sukses në vitin 2012, ndërsa në vitin 2015 ajo përfaqësoi Kosovën (“Pianistin e Ri”) në Lituani ku fitoi çmimin e III-të dhe u ftua të interpretoj në natën finale në të njëjtin grup me përfaqësuesit e rangut më të lartë nga Rusia dhe Estonia.

Padyshim, sukseset në garën “Pianisti i Ri” i hapën dyert drejt sukseseve tjera dhe zhvillimit të karrierës së saj pianistike. Gjithashtu në garat “ARS Kosova”, Anila u shpërblye me vende të para. Pjesëmarrja në gara vazhdoi edhe jashtë vendit si në: Barletta- Itali, Epta- Tiranë, “Pjetër Gaci”- Shkodër, Polihymnia- Shkup,
International Competitions- Gjevgjeli, në të cilat u vlerësua me çmime të para dhe absolute./KultPlus.com

Të ngjajshme