Pianistja Lule Elezi me koncert në Vjenë, do të përurohet edhe albumi i saj me vepra të Beethoven e Chopin

8 Nëntor, 2021 - 11:32 am

Pianistja kosovare Lule Elezi do të ngjitet në skenën e “Palais Hanse” në Vjenë të Austrisë, e cila më 15 nëntor, para audiencës vjeneze do të luaj veprat e Chopin, Rauf Dhomit dhe Ludwig van Beethoven, shkruan KultPlus.

Organizatorët e këtij koncerti, që mbahet nën patronazhin e Shoqatës Ndërkombëtare të Chopin në Vjenë, kanë njoftuar se në kuadër të këtij koncerti, do të bëhet edhe promovimi i albumit të pianistes Lule Elezi.

Albumi është incizuar nga “ Austrian Gramophone” në “ Mozarthaus” në Vjenë, kurse në këtë album janë incizuar vepra të njohura nga opusi i dy gjenive, Ludwig van Beethoven dhe Frédéric Chopin”.

Organizatorët e këtij koncerti kanë ndarë një përvojë të pianistes Lule Elezi, e cila pas luftës kishte performuar për herë të parë në një piano plotësisht funksionale në Vjenë, përvojë që i kishte munguar në Universitetin e Prishtinës, pasi që, pianistja Elezi kishte kujtuar se në atë kohë, në Universitetin e Prishtinës nuk kishte një piano të vetme që funksiononte plotësisht.  

Lule Elezi e cila është profesoreshë e pianos në Universitetin e Prishtinës ka shumë koncerte solistike nëpër botë, duke përfshirë edhe ato në SHBA, Japoni, Kinë, Saint Petersburg, Austri, Gjermani, Suedi, Francë, Luksembourg, Bullgari etj.

Ky koncert është edhe në mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Austri./ KultPlus.com

Të ngjajshme