Pjetër Gaci, kolosi i muzikës dhe violinës

5 Qershor, 2021 - 3:00 pm

Pjetër Gaci, një ndër kompozitorët më të njohur që kanë bërë edhe historinë e muzikës profesionale shqiptare përkujtohet sot në kuadrin e muajt të muzikës që është shpallur si iniciativë nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, përcjell KultPlus.

Pjetër Gaci lindi më 27 mars të vitit 1931 dhe ndërroj jetë po më të njëjtën datë, pra më 27 mars të vitit 1995. Kompozitori lindi në qytetin e Shkodrës ku mori edhe formimin bazë arsimor. Më pas studioj për violinë ne “Liceun Artistik J.Misja Tiranë” për të vazhduar studimet e larta në në Konservatorin e Moskës “ P. I. Cajkovski” në të cilin edhe u diplomua në pranverë të vitit 1967 me rezultate të shkëlqyera.

Karriera e tij si violinist kulmon edhe me mësimdhënien si pedagog i muzikës klasike në “Liceun Artistik P. Jakova në Shkodër”, “Liceun Artistik J. Misja” dhe më pas në “Institutin e Lartë të Arteve Tiranë”.

Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës profesionale të violinës në Shqipëri. Ndër arritjet e tij më të mëdhaja si artist janë krijimet si “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”. Gjithashtu artisti Gaci dha kontribut të madh edhe në muzikën operistike me operat “Toka jonë”, “Përtej mjegullës”, kantata “O moj Shqipni, e mjera Shqipni” etj… . Ai ka meritën të ketë kompozuar gjithashtu të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptarë, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale në Shqipëri.

Në vitin 1989, artistit Pjetër Gacit iu akordua edhe titulli i veçantë për kohën “Artist i Popullit”. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme