Prizreni, kryeqendra e projektit ‘Muzika: Një urë në mes popujve’

3 Mars, 2018 - 11:07 am

Në kuadër të projektit “Muzika: Një urë në mes popujve”, është realizuar një dokumentar i cili sjellë së bashku mbi 100 muzikantë të rinj nga 10 vende të ndryshme nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor, shkruan KultPlus.

Qyteti i Prizrenit shndërrohet në kryeqendër kulturore përgjatë kohëzgjatjes së projektit “Muzika: Një urë në mes popujve”, me nikoqir shkollën më të vjetër të muzikës në Kosovë – ShMM “Lorenc Antoni”.

Përveç organizimit të Master Kurseve, projekti parasheh organizimin e një sërë koncerteve të përbashkëta të nxënësve pjesëmarrës si dhe koncerte të performuara nga profesorët nga Italia.

Merita Koqi, koordinatore e projektit “Muzika: Një urë në mes popujve” ka treguar për KultPlus se këto koncerte, të cilat janë edhe pjesë e dokumentarit janë realizuar në qytete të ndryshme të Kosovës.

“Në ditën e fundit të fazës së parë të projektit organizohet audicioni, ku përzgjidhen nxënësit më të mirë për të vazhduar në fazën e dytë të projektit në Itali. Nxënësit e përzgjedhur për të marrë pjesë në Itali kanë mundësi të ndjekin Master Kurse të një niveli më të avancuar për instrumentet e tyre, të formojnë një orkestër muzikantësh të rinj nga gjithë këto 10 vende, të performojnë në koncerte të ndryshme me bashkëmoshatarët e tyre si dhe të përgatiten për Festivalin e muzikantëve të Rinj të Mesdheut”, ka sqaruar ajo tutje.

Kurse këtë vit e gjithë kjo përvojë e nxënësve të përfshirë në këtë projekt është përmbledhur në një dokumentar të shkurtër që është përgatitur nga një ekip profesionistësh italianë, të cilët e kanë ndjekur këtë projekt ndër vite, premiera e të cilit do të shfaqet më 30 mars në kinon Lumbardhi në Prizren.

Projekti “Muzika: Një urë në mes popujve” ka filluar qysh nga viti 2013, ku organizata italiane IPSIA ka mundësuar organizimin e Master Kurseve në instrumente të ndryshme muzikore, të udhëhequra nga profesorë italianë, si dhe koncerte të përbashkëta.

Duke parë nevojën e nxënësve kosovar për mësimin e teknikave më të reja, performimin si dhe shkëmbimin e përvojave evropiane, organizata në fjalë ka mundësuar edhe binjakëzimin e shkollës së muzikës “Lorenc Antoni”, nga qyteti i Prizrenit me Institutin Muzikor “Angelo Masini”, nga qyteti i Forlisë, Itali.

Në vitin 2014, OJQ IPSIA, ka marrë iniciativë që të zgjerojë këtë mundësi duke i përfshirë edhe nxënësit e shkollave të tjera të cilët vijnë nga e tërë Kosova, duke përfshirë edhe shkollën e muzikës “Stevan Hristić” nga fshati Stanishor, në komunën e Artanës (Novobërdës).

“Viteve të kaluara ky rrjet i shkollave të muzikës është zgjeruar duke përfshirë shkollat nga gjithsej 10 shtete pjesëmarrëse në këtë projekt, shkollat e muzikës nga regjioni i Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Maqedoni, Serbi dhe Shqipëri si dhe shkollat nga shtetet e Bashkimit Evropian: Itali, Rumani, Slloveni dhe Spanjë”, tregoi Koqi. / KultPlus.com

Të ngjajshme