Producenti i nominuar për “Grammy” i ofron kontratë këngëtares së pastrehë

3 Tetor, 2019 - 5:00 pm

Gruas së pastrehë e cila është bërë virale pasi është incizuar duke kënduar në metronë e Los Anxhelosit, i është ofruar një kontratë për këndim, raportojnë mediat në SHBA.

Videoja e gruas së pastrehë Emily Zamourka, duke performuar “O mio babbino caro” të kompozitorit të njohur italian Giacomo Puccini, është postuar në Twitter nga Policia e Los Anxhelosit të premten e kaluar, shkruan “Sky”. Po ashtu, videoja është bërë shumë shpejt virale ku komentuesit kanë sugjeruar që ajo të bëhet një këngëtare profesionale e operës.

“4 milionë e thërrasin Los Anxhelosin shtëpi. 4 milionë storie. 4 milionë zëra… ndonjëherë ke nevojë të ndalosh dhe ta dëgjosh vetëm njërin, të dëgjosh diçka të bukur”, shkruante në mbishkrimin e videos.

4 million people call LA home. 4 million stories. 4 million voices…sometimes you just have to stop and listen to one, to hear something beautiful.

Sipas TMZ-së, producenti i nominuar për “Grammy”, Joel Diamond, është duke i ofruar kësaj këngëtareje një kontratë me plane për të krijuar një “këngë klasike të madhe për soprano të metrosë”.

Gjithashtu, sipas TMZ-së, kontrata mund të jetë për një album të mundshëm të quajtur “Paradise” i cili do të mund të lansohej nga labeli i Diamondit, “Silver Blue Records”.

Ende nuk dihet nëse Zamourka do ta pranojë këtë ofertë për bashkëpunim me producentin e njohur.

Pas suksesit të videos së saj virale, këngëtarja e pastrehë thotë se “nuk mund të besojë” se ka pasur kaq shumë reagime.

“Ditën e parë, nuk dija asgjë rreth shpërndarjes së videos sepse nuk kam pasur internet në telefon”, ka thënë Zamourka, përcjell Koha.net. “Është një telefon i thjeshtë dhe pastaj njerëzit filluan të më thërrisnin duke më thënë – ‘Hej, a e din që ke dalë në televizor’, unë u thashë ‘Si po mendoni?’”, shtoi ajo.

Image

Joel Diamond

Një numër i uebfaqeve “GoFundMe” janë hapur për të ndihmuar Zamourkan, të cilat deri tani kanë mbledhur mbi 64,000 euro.

Violinistja dhe pianistja e trajnuar në mënyrë klasike, 52-vjeçare, është rritur në Rusi dhe është shpërngulur në Los Anxhelos në vitin 1992 për të përmbushur ëndrrën e saj – të bëhej këngëtare dhe performuese.

Por kur ia vodhën violinën në vitin 2016, ajo mezi paguante faturat dhe është dëbuar nga apartamenti i saj.

“Ata e thyen, ata ma vodhën violinën time kur isha duke performuar në qendër të qytetit. Dhe kjo ishte momenti kur filluan të gjitha problemet”, tregoi këngëtarja e pastrehë.

Qëkur mori mbështetjen e fansave në Twitter, Zamourka tha: “Nëse është vullneti i Zotit që të ndryshojë jeta ime, atëherë do t’i lutem Atij dhe do të jem shumë mirënjohëse gjithë atyre që po përpiqen të më ndihmojnë të largohem nga rrugët dhe të kem vendin tim dhe instrumentin tim. Disi, ende dëshirojë të jem në muzikë”.

Ajo ka pranuar të performojë në një ngjarje të organizuar nga Shoqata “Italia e Vogël e Los Anxhelosit” këtë të shtune. /KultPlus.com

Të ngjajshme