14 Gusht, 2025 - 11:00 am
Ranch Fest rikthehet këtë verë në Pejë, duke premtuar një fundjavë të mbushur me energji, argëtim dhe atmosferë të paharrueshme në natyrë, nga data 15 deri më 17 gusht 2025.
Ky edicion i festivalit është konceptuar si një përvojë tre-ditore me muzikë live, energji dhe eksperiencë të jashtëzakonshme. Festivali ofron për adhuruesit e muzikës një mundësi që të lidhen me natyrën, me njëri-tjetrin dhe me ritmet melodike.
Në këto net magjike do të ndriçojnë skenën emra të njohur si Soni Malaj, Alban Skënderaj, Yll Limani, Shkumbin Ismaili, DJ Hebb, Gjeneral Gramaphone dhe DJ Ylli Megi. Atmosfera do të lulëzojë me tinguj të paharrueshëm muzike, duke i pasuruar mbrëmjet me energji të gjallë dhe emocione artistike.
Ranch Fest ka evoluar në një festival shumë gjithëpërfshirës, duke ruajtur frymën e aventurës, por duke shtuar më shumë ditë, më shumë muzikë dhe një eksperiencë të plotë verore për të gjithë ata që kërkojnë diçka ndryshe nga rutina. Ranch Fest i ofron audiencës jo vetëm një festival, por një përvojë të përbashkët dhe autentike./KultPlus.com