“Rebelja” jonë promovon albumin e parë në Zvicër, synon të bëj krenarë gjithë shqiptarët

4 Korrik, 2019 - 2:43 pm

Jeta Zymberi

Rruga drejt realizimit të ëndrrës e drejtoi atë në vende të ndryshme jashtë Kosovës, por qëllimi i saj mbet gjithmonë në një vijë të drejtë. Bëhet fjalë për Leonita Asllanin, artisten e re nga Gjakova të cilën të gjithë e thërrasin “rebele”. Ajo vjen nga një familje muzikantësh të cilët ëndrrën e tyre drejt muzikës e lanë në gjysmë për arsye të rrethanave jetësore, por njëjtë nuk veproi edhe Leonita. Ajo punoi fuqishëm që ëndrra e saj të realizohet deri në fund, shkruan KultPlus.

Gjithçka me muzikën ajo e nisi në Kosovë ku edhe u shkolluar, por ishte Franca ajo që i hapi dyert për muzikën e Leonitës, atje ku edhe realizoi koncertin e saj të parë solistik.

“Jam rritur në Kosovë, në një vend ku shkrihen shumë kultura të ndryshme. E konsideroj vetën me fat që jam rritur në një vend të vogël si Kosova, dhe në frymën e djepit të kulturës”, thotë Leonita.

Por Franca ishte vetëm një mundësi që i hapi dyert tjera për të. Tutje, ishte Zvicra vendi i cili e përqafoi talentin e vajzën nga Kosova, ku po në këtë shtet ajo u njoftua edhe me grupin Plusedion më të cilët tashmë janë bërë një.

Ata bashkë kanë publikuar albumin e parë të titulluar “Night Train”.

“Kisha nderin dhe kënaqësinë që njoha grupin Plusedion me të cilin bashkëpunuam fort dhe e realizuam albumin. Mendoj se pikë së pari, suksesin apo sido që ta quani ju, nuk e kemi në dorë ne, pasi janë shumë faktorë që ndikojnë në të. Por kur fillova nuk u mundova të kopjoj apo ndjek ndonjë linjë muzikore. Kur diçka bëhet në mënyrë unike duke përdorur tinguj të ndryshëm, qoftë edhe eksperimental del diçka e bukur, le të themi se Zoti është treguar shumë zemërgjerë me mua, nuk mund të mohoj se dhe unë punova fort për këtë sukses që gëzoj tani”, tregon Leonita për KultPlus.

 Ky album i cili tashmë është i gatshëm për të gjithë ata që e duan muzikën e këtij grupi, promovimin e tij do ta ketë fillimisht në Zvicër e më pas në Kosovë, ku pos promovimit, artistja thotë që do të sjell edhe një koncert.

“Ëndrra ime gjithmonë ka qenë që ta bëj krenar vendin tim kudo që të shkel e të përmendet emri saj dhe ti tregoj botës që jemi njerëz që e duam dhe e çmojmë kulturën e në veçanti muzikën dhe jemi një vend i mbushur me plot talente. E gjithë ky mundim dhe kjo punë që po e realizoj i takon vendit tim, krenarisë time Kosovës”, thotë tutje ajo.

Albumi përmban gjithsej 13 këngë të zhanreve të ndryshme si blus rock po ashtu dhe balada.

“Më duhet të cek se këngët përmbajnë mesazhe shumë domethënëse për dëgjuesit. Pas shumë orëve në studio duke punuar në mënyrë kolosale, ne jemi të lumtur që kemi përfunduar prodhimin e albumit të ri “Night Train”. Albumin e kemi incizuar në Studion e Pluse dion ku për tekstet jemi kujdesur i gjithë grupi, kurse incizimin e ka realizuar Claudio po ashtu edhe ai është pjesë e grupit (kitarist).”, tregon artistja.

Stili i Plusedion mund të përshkruhet si rock blus dhe rock pop. Por atyre nuk ju intereson shumë për gjëra të tilla. “Le të vendosin të tjerët se në cilin zhanër dëshirojnë ta klasifikojnë muzikën tonë”, thonë ata. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=PJ8vo4k7A-E&feature=youtu.be&fbclid=IwAR1uQcL_qgQ1ekR9CXIp7Vb7X-Xyck3ieWecjYrGcE1ryK4RXGCWnFwu8FE

Të ngjajshme