Rikthehet fuqishëm ikona e muzikës Armend Rexhepagiqi, me një koncert madhështor promovon albumin me shtatë këngë

20 Korrik, 2025 - 6:10 pm

Vjollca Duraku

Ikona e muzikës, Armend Rexhepagiqi, përmes një koncerti madhështor mbrëmë ka shënuar një rikthim të fuqishëm në skenën muzikore me promovimin e albumit “Dashuri e Vjetër”, shkruan KultPlus. Shtatë këngët e projektit të tij më të ri erdhën si dhuratë për publikun e tij besnik, pas një mungese të gjatë kohore, duke dhuruar emocione kulminante. Interpretimi i temave emocionale me një thelb të thellë artistik, padyshim që e pozicionon artistin Rexhepagiqi në majë të industrisë muzikore, e posaçërisht në vendin ku çdo krijues e adhuron, në zemrat e publikut.

I njëjti zë, stil dhe identitet muzikor me shumë ndryshime në mënyrën e qasjes ndaj tematikave specifike e rikthenin Rexhepagiqin në një pasqyrues të pjesëve më të thella të njeriut, deri aty ku dhimbja dhe dashuria bëhen një, dhe njeriu merr përmasa hyjnore. Tema e dashurisë, ndarjes, nostalgjisë, pendesës e kujtimeve dominuan në këtë koncert që rrëmbente me vete publikun në çdo moment. Ndërkaq, ironia therëse e shprehur në fjalë të thjeshta përmes një autenticiteti personal ishte ‘specialitet’ i artistit që depërtonte lehtësisht në qenien e secilit duke të ftuar në vetë-reflektimi të thellë.

Koncertit të shumëpritur i parapriu një kolazh fotografik, ku paraqiteshin momente të veçanta nga jeta personale dhe profesionale e tij, duke përfshirë bashkëshorten, bashkëpunëtorët dhe paraqitjet muzikore që shënuan kthesë në karrierën e tij të bujshme muzikore. Pas pak, një tym i shpërndarë në skenën gjigande ishte paralajmërimi i fundit për këtë takim të shenjtë në mes të artistit dhe publikut që me padurim priste të përfshihej në artin e tij.

Kënga “Dashuri e Vjetër” shënoi fillimin e një nate të paharrueshme, e cila e përjetësoi krijimtarinë muzikore të artistit përmes albumit me të njëjtin titull. Kjo baladë nostalgjike prek në ndjesi emocionale për një dashuri të humbur duke kërkuar rikthimin e saj. Tendenca për rifillmin e një relacioni paraqitet si kontrast me titullin “Dashuri e Vjetër”. Teksti poetik i Aida Barakut i kombinuar me zërin e ndjeshëm të artistit janë një kombinim i fuqishëm për këtë influencë të madhe muzikore.

“Ti nuk më meriton”- një projekt i mëhershëm muzikor ishte pjesë e mbrëmjes po ashtu, duke paraqitur elementet e pasojave të një dashurie të njëanshme që dërgon në përpjekje sfilitëse, vuajtje, depresion dhe ndërtim të karakterit të brendshëm duke e rikthyer njeriun përsëri te vetja dhe te fuqia e tij. Ndërsa, këngët “A don hala” dhe “Tavolina e mërzisë” me tekst të Aida Barakut ishin këngë ‘mysafire’ në këtë promovim perlash. Të kënduara në stilin unik të këngëtarit Rexhepagiqi, këngët nga ana e publikut që përbëhej nga të gjitha moshat përjetoheshin si krijime krejtësisht të reja.

“Thuhet që pas një burri të sukseshëm qëndron një grua e mençur. Te unë kjo nuk vlen. Ajo është shumë para meje, dua t’i them nga këtu faleminderit, të dua shumë. Një duartokitje të madhe për Aida Barakun. Të dua zemër”, është shprehur Armend Rexhepagiqi.

Ndërsa, kënga “Boll m’ke dal” që shprehte lodhje emocionale nga një lidhje dashurie, në mënyrë të veçantë shpërfaqte përpëlitjet shpirtërore për tu larguar nga kjo gjendje. Balada të përthithte me një ndjeshmëri të madhe, po aq sa teksti i këngës “Kutia e zezë” që përcjellte ndjenja të thella intime përmes alegorisë së kutisë së zezë. Kurse kënga “Edhe një herë” erdh si homazh për të gjithë të dashurit e këngëtarit të cilët nuk jetojnë në këtë dimension, këngë kjo që preku thellë edhe audiencën.

Këngët tjera të interpretuara mbrëmë ishin: “Ma ke nal”, “So dashni”, “Harrova”, “Bileta”, “Dashurinë ku e kam”, “Dudije” dhe “Bilbili”. Përderisa, kënga më ritmike e albumit të ri “Krejt Prishtinën për ditëlindje” që shpërfaqë një dedikim emocional duke kërkuar riparimin e marrëdhënies në një moment special si “Ditëlindja” shënoi fundin e koncertit, ku u prezantuan me këngë edhe këngëtaret e njohura Fifi dhe Ronela Hajati.

Duke qenë falënderues për përkrahjen e shtetit të Kosovës, këngëtari Rexhepagiqi ka thënë se me kënaqësi do të vazhdojë punën e tij prej artisti.

“Në njëfarë mënyre jam edhe më i obliguar të vazhdoj të punoj dhe të arsyetoj këtë besim. Ju falënderoj nga zemra për përkrahjen. Me kënaqësi shumë të madhe i falënderoj të gjithë sponsorët e këtij koncerti”, është shpehur Rexhepagiqi, duke bërë edhe thirrje për paqe në botë.

“Muzika më parë ka një mision. Të përçojë dritë. Secili nga ju, të gjithë ne nga Prishtina, nga Kosova bëjmë apel për paqe në tërë botën përmes një duartrokitje. Bota ka nevojë për mirësi! Ju faleminderit!”, ka bërë apel artisti duke ftuar publikun për një duartrokitje të madhe.

Koncerti është vlerësuar lart edhe nga figura të shquara nga bota e artit dhe e kulturës, të cilët këngëtarin Armend Rexhepagiqi e cilësuan si artist të rrallë me një art muzikor të jashtëzakonshëm.

Drejtoresha e Mediumit KultPlus, Ardianë Pajaziti ka thënë se Rexhepagiqi është artist që ka pasur ndikim në krijimin e memories kolektive.

“Harrova” “Shkel” “Oj Dude, Dudie” ishin këngët që i këndonte publiku, edhe pa Armendin, por edhe kënga e re “Dashni e vjetër” ishte ngjizur në memorien e adhuruesve të tij, që kumbonte në hapësirën e parkingut të Prishtinës, që për një natë të vetme shndërrohet në një energji Prishtine, për tu kthyer sërish në një hapësirë pa jetë. Se nëse Armendi është brenda shijes së secilit, është vështirë të thuhet, se artistët kanë audienca të ndryshme, por se është kujtesë kolektive, definitivisht po. Mbrëmë, prindërit që luftojnë me fëmijët e tyre për çështje adoleshence, për nje moment u shndërruan po në ata adoleshentë. Burra e gra të rritur me një shpirt të rinuar!”, thënë drejtoresha Pajaziti.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila nga afër ka ndjekur koncertin ka thënë se çdo akord i artistit Rexhepagiqi ka rikthyer ndienja, emocione dhe nostagji për krijimtarinë që sipas saj që sfidon kohën.

“Një koncert magjik, ku emocioni, kujtimi dhe dashuria për muzikën u bashkuan në një natë të paharrueshme. Armend Rexhepagiqi, me zërin e tij që sfidon kohën dhe një shpirt artistik që rrëmben zemrat e shumë gjeneratave, na çoi në një udhëtim të paharrueshëm ndërmjet nostalgjisë dhe freskisë së krijimeve të reja.  Faleminderit, Armend, për çdo akord që na bëri të ndiejmë emocion e nostagji dhe për krijimtarinë që sfidon kohën”, ka shkruar presidentja Osmani.

Kurse, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se artistët si Armend Rexhepagiqi janë të rrallë.

“Artistët si Armend Rexhepagiqi janë të rrallë. Zëri, ndjeshmëria dhe muzika e tij kanë lënë gjurmë në kulturën tonë. Koncerti i tij i mbrëmshëm ishte fantastik. Një rikthim i shumëpritur i një prej artistëve tanë më të veçantë, me albumin e ri ‘Dashni e vjetër”, ka shkruar ai në facebook.

Ndërkaq, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se koncerti i Armend Rexhepagiqit, “Dashuri e vjetër” ka ndezur shpirtin e gjithë qytetit.

“Prishtinë je ma shumë se qytet, je ndjenjë, je melodi që nuk ndalet kurrë! Armend, ky nuk ishte veç koncert, ti ndeze shpirtin e një qyteti të tërë”, ka shkruar Kryetari Rama në facebook.

Artisti Armend Rexhepagiqi pas koncerti “Dashuri e Vjetër” të mbajtur prapa Pallatit të Rinisë, do të prezantohet edhe në Shkodër, në Festivalin “ZaFest”, më 25 korrik./ KultPlus.com

Të ngjajshme