Rikthimi i bujshëm i Vedat Ademit me “Oqean”

5 Prill, 2019 - 12:00 pm

Në kërkim të dashurisë, që bëhet e përmallshme nga ikja pa kthim. Një melodi e ngrohtë, që zgjon ndjesitë kaotike të shpirtit që vuan.

“Oqean” është projekti i fundit i Vedat Ademit, që e rikthen atë për të qenë më pranë fansave. Artisti vjen si rrallë herë në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, për të zbuluar jetën mes muzikës dhe familjes.

Një zë potent, si ai i Vedatit i ka munguar publikut shqiptar. Artisti na njeh me angazhimet e tij dhe me mënyrën se si u prit lançimi i këngës. Përtej oqeanit, pranë familjes Vedati pohon se ka ndryshuar rutina e ditëve e megjithatë pranon se Shqipëria i mungon shumë.

Ndër të tjera, këngëtari na tregon për porosinë që i ka dhënë të birit, se çfarë lloj timonieri është në familje,veset që i kanë ngelur nga fëmijëria e detaje të tjera, që nuk i dinim. Për të gjithë ata që e duan muzikën e Vedat Ademit, këngëtari ka rezervuar surpriza. Qëndroni në pritje!

-“Oqean” një rikthim i bujshëm në muzikë. Si është pritur kënga?

Rikthim është në çdo projekt timin, për të qenë më pranë fansave. Kënga ‘Oqean’ është pritur shumë mirë dhe çdo ditë marrë mesazhe dhe urime pasi ridëgjimi i këngës (replay) është më i komentuari.

-Pas projektit të fundit, a do ketë surpriza të tjera për fansat?

Sigurisht, momentalisht jam në Tiranë për një projekt tjetër, i cili është ndryshe nga Oqean dhe do të vijë së shpejti.

-Si ka ndryshuar jeta juaj që pas ikjes në Amerikë?

Ka ndryshuar jeta e përditshme. Angazhimet e familjes janë më të shumta e duke qenë edhe ndryshe në stil, ka ndryshuar rutina.

-Çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria?

Më mungon e gjitha!

-Kompleksi më i fortë që keni mundur të kapërceni?

Hmmm, më i forti, nuk e di a kapërcehet, por është emocioni dhe ai çdo herë është i ndryshëm duhet kontrolluar, por dhe përjetuar.

-Porosia më e madhe që i keni dhënë birit tuaj?

Të dojë njerëzit dhe familjen!

-Ka diçka që nuk ka ndryshuar te gruaja juaj, që nga çasti i parë që e ke njohur?

Sinqeriteti. Kush e njeh Dorelën e din si është ajo dhe çfarë kuptoj me këtë fjalë. Ajo është e drejtpërdrejtë dhe shumë e sinqertë, i lexohet në sy.

-Çfarë lloj “timonieri” është Vedati në familje?

Oh, jam shumë i mirë në timon! Jam drejtues i rreptë dhe i mirë! Duhen nga pak të dyja.

-Cili është ai ves që e keni nga fëmijëria?

Pastërtia, rregulli dhe ardhja në orar. Nuk bëhet shaka me këto.

-Diçka që nuk ia lini kurrë bashkëshortes në dorë?

Orarin.

Të ngjajshme