Rita Ora kërkon falje për shkelje të rregullave të karantinës

30 Nëntor, 2020 - 4:56 pm

Këngëtarja Rita Ora ka kërkuar falje për shkeljen e rregullave të karantinës, duke e organizuar një ndejë private me miqtë e saj, për ta shënuar ditëlindjen e 30-të.

Ora e ka pranuar se ky ishte një vlerësim i gabuar i situatës dhe një vendim i paarsyeshëm për të festuar në një restorant në Londër, ndejë kjo e cila zuri vend të shtunën mbrëma.

Policia e qytetit e ka konfirmuar tashmë lajmin se ishin thirru nga persona anonim, të cilët e kishin lajmëruar një shkelje të rregullave të sigurisë të vendosura nga shteti me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Përmes një postimi në Instagram, Ora ka thënë: “Përshëndetje të gjithëve, unë e kam organizuar një ndejë të vogël me miqtë e mi, për ta festuar ditëlindjen e 30-të. Ishte një vendim i momentit dhe i gabuar, prandaj më vjen shumë keq që i kam thyer rregullat e karantinës. Po ashtu e kuptoj se ky veprim i ka vënë në rrezik jetët e njerëzve tjerë. Tani e kuptoj sa veprim i papërgjegjshëm ishte, dhe marrë përgjegjësi të plotë për këtë. Në veçanti më vjen turp kur e di personalisht, se sa shumë njerëz po punojnë me shumë mund për ta luftuar këtë sëmundje të tmerrshme, dhe jam e vetëdijshme për sakrificat që njerëzit dhe bizneset e ndryshme janë dashur t’i bëjnë për shkak të sigurisë sonë. Edhe pse e di që kjo nuk e rregullon gabimin tim, megjithatë dua të kërkojë falje të sinqerta”.

Në disa fotografi të postuara online, Rita Ora shihet duke hyrë në restorantin ku po i priste të ftuarit e saj, në mesi e së cilëve ishin edhe modelet, Cara dhe Poppy Delevingne./ KultPlus.com

Të ngjajshme