Rita Ora konfirmon koncertin në Shqipëri: Do të rikthehem në Tiranën time të dashur

20 Korrik, 2022 - 12:11 pm

Rita Ora ka konfirmuar se do të rikthehet në Tiranë për të mbajtur një koncert në sheshin “Skënderbej”, shkruan KultPlus.

Koncerti i këngëtares së famshme shqiptare, është parashikuar të mbahet në sheshin “Skënderbej”, mbrëmjen e 6 shtatorit, në kuadër të Tirana European Youth Capital 2022.

Përmes një postimi në “Facebook”, Ora ka thënë se ndjehet shumë e emocionuar për këtë koncert në Tiranën e saj të dashur.

“Jam kaq e emocionuar dhe e nderuar të lajmëroj se unë do të rikthehem në Tiranën time të dashur. Erion Veliaj më ka ftuar të performojë në një koncert falas për ne për të festuar Shqipërinë si ‘Tirana – Kryeqyteti Evropian i të Rinjve’! 6 shtator, në Sheshin ‘Skënderbej’”, ka shkruar Rita Ora në njoftimin e saj.

Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë për 2022 – Një titull që jepet nga Forumi Evropian i Rinisë i krijuar për të fuqizuar të rinjtë, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve dhe për të forcuar identitetin evropian.

Tirana EYC 2022 paraqitet si një makro program prej 365 ditësh, gjatë të cilave do i jepet jetë një kalendari projektesh me iniciativa e aktivitete të shumta, që shohin në qendër rininë. Tirana EYC 2022 implementohet nga Kongresi Rinor Kombëtar, në bashkëpunim me bashkinë Tiranë.

Të shumta kanë qenë aktivitet gjatë këtyre muajve, por duket se ato do të kulmojnë me koncertin e Rita Orës, në 6 shtator. /KultPlus.com

Të ngjajshme