21 Tetor, 2020 - 5:26 pm
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, gjatë ditës së djeshme ka përkujtuar gjyshin e saj Besim Sahatçiu, shkruan KultPlus.
Ora në Instagram ka publikuar një foto të regjisorit Sahatçiu me mbishkrimin se e do shumë.
“Gjithashtu sot është edhe përvjetori i gjyshit tim, na mungon çdo ditë. Gjushi të dua shumë”, ka shkruar këngëtarja shqiptare në foton ë postuar ne storien e saj në Instagram.
Besim Sahatçiu, ishte drejtor i teatrit, filmit dhe televizionit. U lind më 2 tetor 1935, në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Si drejtor skenik, ai punoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ishte një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.
“Era dhe lisi” ishte njëri nga super-filmat shqiptar i prodhuar nga Kosovafilmi në vitin 1979 me regji të Besim Sahatçiut. Ndërsa në rolet kryesore ishin dy nga aktorët e mirënjohur, Faruk Begolli dhe Abdurrahman Shala.
Filmi i tij “117” morri çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978.
Regjisori, Besim Sahatçiu, ndërroi jetë në vitin 2005. / KultPlus.com