Rita Ora shpërndan një postim për 10 shqiptarët më të famshëm ndërkombëtarisht me këngën e Dua Lipës

7 Gusht, 2025 - 10:01 am

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, së fundmi ka shpërndarë në InstaStory një postim nga faqja Eja, e cila rendit shqiptarët më të suksesshëm në arenën ndërkombëtare. Ajo çka e bëri këtë postim edhe më të veçantë ishte fakti që shoqërohej me këngën “Houdini” të Dua Lipës, një tjetër yll shqiptar që ka arritur sukses global.

Në postimin origjinal, faqja Eja e kishte përfshirë Rita Orën në listën e 10 personaliteteve shqiptare më të ndikueshme, duke e përshkruar atë si një nga artistet më të suksesshme të muzikës ndërkombëtare, me më shumë se 10 miliardë dëgjime globale dhe një figurë të fuqishme në skenën e muzikës pop.

Ajo që tërhoqi veçanërisht vëmendjen e ndjekësve ishte përdorimi i këngës së Dua Lipës, një zgjedhje që shumë e kanë interpretuar si një sinjal afrimi mes dy artisteve.

Pavarësisht se të dyja janë shqiptare nga Kosova dhe kanë arritur karriera të jashtëzakonshme, Rita Ora dhe Dua Lipa nuk janë parë kurrë së bashku në publik dhe kanë shmangur gjithmonë komentet për njëra-tjetrën në intervista apo në rrjetet sociale, duke shkaktuar spekulime mbi një raport të mundshëm të ftohtë mes tyre.

Megjithatë, ky veprim i Ritës shihet nga shumëkush si një hap i vogël drejt një afrimi të mundshëm. Në rrjetet sociale kanë shpërthyer komentet pozitive, ku fansat shprehen të entuziazmuar për mundësinë e një bashkëpunimi të ardhshëm mes dy ikonave shqiptare të muzikës./KultPlus.com

Të ngjajshme