Ritmet e Anymas dhe Peggy Gou elektrizojnë Sunny Hill-in në përmbyllje të edicionit të pestë

4 Gusht, 2025 - 7:13 pm

Vjollca Duraku

Festivali më i rëndësishëm në rajon, Sunny Hill, mbrëmë ka mbyllur edicionin e pestë me radhë nën ritmet e artistit italo-amerikan Matteo Milleri i njohur si “Anyma” dhe artistes koreane, Peggy Gou. Ndryshe nga netët paraprake, mbrëmja e tretë e festivalit i ishte dedikuar DJ-ve të njohur ndërkombëtar dhe ritmeve të tyre elektronike, që rrëmbenin zemrat e një audience aktive që pulsonte fuqishëm pas secilit ‘beat’.

Nata e tretë e festivalit të njohur tashmë edhe në Evropë ishte një nga ato mbrëmjet me bazë në ritmet techno, që përmes valëve elektronike integronte në trup energji drithëruese nga kozmosi. I vendosur në hapësirat e Bërnicës së Poshtme të Prishtinës festivali në natën përmbyllëse ka qenë nikoqir i DJ-ve të njohur që sollën një frymë të re nga skenat më të njohura botërore, deri në orët e hershme të mëngjesit.

Elektrizuese ka qenë edhe performanca e MYGAL- një producent dhe DJ spanjoll dhe jeton në Madrid, qysh në fillim të mbrëmjes. Një teknologji e avancuar me ekrane LED gjigandë dhe ndriçim brilant koordinohej në mënyrë perfekte me lëvizjet e duarve duke nxitur një atmosferë që shkarkonte çdo tension të mundshëm trupor. Ndërsa, STRYV- një producent dhe kantautor me bazë në Los Angeles ka mbajtur ritmin në vazhdimësi deri në paraqitjen e artistit kryesor të mbrëmjes, Anima.

Me një brohorimë të fuqishme ka nisur perfomanca e artistit Matteo Milleri, e cila është përsëritur disa herë deri në mesnatë. Melodic techno, melodic house dhe progressive house kanë qenë zhanret që janë emetuar para një audience masive, që nga ritmet e fuqishme, dritat dhe fishekzjarret zgjonte dinamikë e fuqi. Në një atmosferë të tillë, ka kulmuar edhe performanca kryesore e mbrëmjes së fundit të edicionit të pestë të Sunny Hill, për tu zhvendosur më pas në skenën “C4” për DJ britanik, Tommy Gold.

Flakë e zjarr mori skena “C4” kur iu bashkangjit DJ dhe producentja koreane, Peggy Gou. Përmes ritmeve të saj elektronike, deep house, tech house e minimal trance artistja Gou ka arritur të pushtojë skenën dhe audiencën edhe përkundër lodhjes së tyre në pjesën përmbyllëse të festivalit, i cili edhe këtë vit ka arritur të tërheqë audiencë nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës.

Festivali ka përfunduar në orët e hershme të mëngjesit, duke plotësuar në tërësi mozaikun e zhanreve të këndimit, pjesë përbërëse e të cilit ishte edhe vetë themeluesja Dua Lipa, performanca e së cilës ka lënë shije të jashtëzakonshme. Në këtë koncert i cili ka ngërthyer rreth 30 mijë spektator, artistja me famë botërore është ngjitur në skenë me babain e saj, për të risjellë këngën “Era” të grupit “Gjurmët”.

Mbrëmjet pasuese kanë shkëlqyer nën tinguj dhe ritmet e artistëve: Shawn Mendes, Artssassin, Bookie, Pint, Tayna, Kida, Era Istrefi, Ledri Vula, Yanina, Lluni, Fatboy Slim, Sainte, Mochakk, TSHA, Skream, Sugar Rush dhe Sienna Spiro.

Sunny Hill Festival i themeluar në vitin 2018 nga këngëtarja shqiptare e njohur në botë, Dua Lipa, i cili menaxhohet nga babai i saj, Dukagjin Lipa, edhe këtë vit i ka dhënë jehonë ndërkombëtare vendit, duke e vendosur Kosovën në zemër të hartës kulturore globale./ KultPlus.com

Të ngjajshme