Robert Bisha dhe Fanfara Tirana hapin sonte festivalin e kabasë në Korçë (VIDEO)

28 Dhjetor, 2017 - 9:19 am

Edicioni i dytë i Kaba 2.0 Festiv.al sjell në skenën e teatrit të Korçës kompozitorin e njohur Robert Bisha me koncertin “Ritual Moods”, një performancë piano solo, kitarë dhe perkusione, si dhe grupin më të njohur shqiptar në skenat evropiane, Fanfara Tirana.

Festivali në dy net, 28 dhe 29 dhjetor sipas organizatorëve vjen si një qasje e re përkundrejt disa prej perlave muzikore shqiptare. Robert Bisha kompozitori i njohur shqiptar, multiinstrumentisti i talentuar prezanton sot në Teatrin e Korçës kompozimet e tij të reja. Pas një rrugëtimi të gjatë me koncerte në vende të ndryshme të Europës, kësaj here ndalesa është në Korçë, si një dhuratë për spektatorin shqiptar me rastin e festave.

Koncerti i Robert Bishës, i cili do të çel dhe natën e parë të edicionit të dytë, të festivalit vjen këtë herë në formatin e piano solos në një dimension intim, poetik. Meloditë e pastra, e të ngjyrosura me kërkimet harmonike dhe ritmike, ku krijimi midis improvizimit të çastit dhe strukturave të kompozuara, është protagoniste. Estro ritmike, guxim deri në brendësi, poezi gati mistike, karakterizojnë koncertin “Ritual Moods”, të Robert Bishës.

“Ritual Moods” një performancë piano solo, kitarë dhe perkusione si dhe do të shoqërohet në disa momente edhe nga Fanfara Tirana. Por siç ka pohuar dhe vetë artisti i njohur shqiptar është hera e dytë që ai vjen me një festival të tillë me kompozimet e tij.

“Do të luaj një koncert me piano solo me kompozimet e mia. Është hera e dytë që e bëjë në një festival të tillë dhe hera e fundit ishte periudhë vjeshte”, shprehet pianisti Robert Bisha. Ai gjithmonë e ka dashur origjinën e tij dhe folklorin dhe ka treguar se më shumë është në linjën e folkut.

“Janë kompozime që shkojnë nga ngjyrat e muzikës xhaz ngjyrat e muzikës bashkëkohore, klasike evropiane. Unë jam shumë në linjën folk dhe në linjë e improvizimit të kompozimit bashkohorë evropian”, ka treguar ai.

Për organizatorët Kaba 2.0 Festival.al është një aktivitet që guxon.

“Një rrugëtim në kohë dhe hapësirë mes ndjenjash dhe tingujsh, harrese dhe nostalgjisë, erotikës dhe eposit të kreativitetit folklorik. Në një kohë kur ky kreativitet i të shkuarës është shprehja më e bukur estetiko-muzikore e këtij populli, Kaba 2.0 Festiv.al guxon dhe në një mision muzikdashës kërkon të sjellë kërkimin, eksperimentin e “muzikës së naltë” në veshët e përçudnuem nga turbo-folku dhe të përdhosun nga e pa-bukura”, bëjnë me dije organizatorët për festivalin që sonte starton në edicionin e dytë. Ky festival organizohet nga ReK – Remont Kapital Culture Center.

Aktiviteti muzikor

Për herë të parë në Tiranë, poli-instrumentisti Robert Bisha erdhi me projektin e tij në piano solo “Ritual Moods”, tinguj pianoje, eksperimentime mbi të, me hark a makinë rroje, interpretim në kitare, saze e def në muajin prill në Teatrin Metropol.

Robert Bisha ka lindur në Vaun e dejës (Shkodër) në vitin 1984. Kompozitor por mbi të gjitha Improvizues në piano dhe poli instrumentist, shkruan SotNews. Ka kompozuar pjesë për piano për muzikë dhome në një rrymë që tejkalon muzikën klasike dhe muzikën xhaz. Kritika e ka vlerëson si improvizues i veçantë, i pa arritshëm dhe virtuoz i pianos. Në Itali vazhdon karrierën e tij artistike.

Ka sjell, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë, një koncert për piano i tëri i improvizuar. Një mendim shumë i thellë mbi muzikën dhe mbi mënyrën e komunikimit. Larg vullnetit të interpretimit dhe të imitimit. Afër kërkimit të brendshëm po ashtu në lidhje me totalitetin.

“Muzika është kombinim tingujsh brenda shumë formave. Forma duhet eliminuar për më ardhur tek tingulli në mënyre direkte. Njeriu ka nevojë për formën vetëm kur nuk është gjithnjë në kërkim të vetvetes; kjo ndoll edhe kur format janë të shumta”, përfundon Bisha./ KultPlus.com

Të ngjajshme