‘Robi plaket kur don vetë’, tinguj të mrekullueshëm të muzikës qytetare nga Ismet Peja (VIDEO)

28 Korrik, 2023 - 8:00 pm

Ismet Peja ishte këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai u lind më  27 Prill 1937.

Me muzikë filloi të merrej qysh në fëmijëri, prej moshës 13-14 vjeçare duke vazhduar ta pasurojë melosin shqiptar deri në vitet e fundit të jetës së tij.

Shoqëria muzikore e asaj kohe “Hajdar Dushi” ishte institucion i cili i hapi dyert e sukseseve të mëvonshme, duke pasur prezantime të shumta në TVP dhe Radio Prishtinë.

Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Ismet Peja ka të publikuara një numër të madh të albumeve muzikore dhe 4 videokaseta. Përderisa në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.

Disa këngë me të cilat interpretoi përgjatë viteve janë: Errësinë e pyllit, Sarajeva shehër i bukur, Gazel, Në muzeun historik, Dal e dal po vjen behari, 30 ditë në Ramazan, Fustani me pika, Un e qeli deren hej un e msheli derën, Këngë për Anton Çettën, Dy dele – 300 pare, M`kanë thanë shoqet mramë, M`ka shkue djali në Gjermani, Po të lutem shoku im, Seç po punojshin tre vllazën Mori Shkodër -Shkodra jonë etj.

Vdiç më 23 Nëntor 2020, në moshën 83 vjeçare.

KultPlus ju sjell këngën “Robi plaket kur don vetë”

Moshë e bukur kjo rinia
gjo ma t’mir bota se ka
mirëpo ja që vjen pleqria – 2X
dhe ke borxhe për me la – 2X

Lule m’lule tuj fluturue
tuj bo qef tuj bo dashni
robi kurr se ka mendue – 2X
se vjen mbrapa ni pleqni – 2X

Namuzlie o sarëhosha
veq ni gjo more osht e vërtetë
Robi s’plaket kur vjen mosha – 2X
robi plaket kur don vet – 2X

Ni nga ni vitet kalojnë
shkon ni vit vjen viti i ri
se sa vite do jetojmë – 2X
nuk e din e asnjeri – 2X

O njeriu njeriu i shkret
mos e lodh veten tuj mendu
për me le e për me vdek – 2X
Zoti diten ta ka shkru – 2X

Namuzlie o sarëhosha
veq ni gjo more osht e vertet
Robi s’plaket kur vjen mosha – 2X
robi plaket kur don vet – 2X

Të ngjajshme