Rona Nishliu: Do rikthehesha në Eurovizion për të përfaqësuar Kosovën

8 Tetor, 2018 - 9:28 am

Këngëtarja shqiptare, Rona Nishliu, ishte e pranishme në kongresin e 13-të të fansave spanjollë të Eurovision-it. Në këtë kongres ajo u shpreh se do rikthej në Eurovizion për të përfaqësuar Kosovën, shkruan KultPlus.

Rona Nishliu është përfaqësuesja e parë e ftuar në kongresin e përvitshëm të organizatës së fansave të Eurosong në Spanjë. Ajo u prit me ovacione e duartrokitje të gjatë, njejtë si në prezantimin e saj para 6 vitesh në Baku (2012).

Në sesionin e pyetje-përgjigjeve, fansat spanjollë pyetën nëse Rona do merrte pjesë përsëri në ESC, por këtë herë si përfaqësuese e Kosovës. Rona shpjegoi se punon në Radio Televizionin e Kosovës dhe është pjesë e grupit që po bën përpjekje t’i mundësojë pjesëmarrjen vendit të saj në këtë festë të përvitshme të këngës evropiane. Ajo u shpreh se mund të rikthehet në Eurovizion për të përfaqësuar vendin e saj, nëse kjo do ishte e rëndësishme për Kosovën.

Gjithashtu, si me shaka, ajo pyeti fansat spanjollë nëse mendojnë se duhet ta përsërisë pjesëmarrjen e saj, dhe ata me entuziazëm u përgjigjën se ajo duhet patjetër ta bëjë një gjë të tillë./ KultPlus.com

Të ngjajshme