Rumunët janë të çmendur pas këngës ‘Suus’ nga Rona Nishliu (VIDEO)

4 Tetor, 2017 - 5:01 pm

Që një këngë i tejkalon vitet dhe kufijtë, është dëshmi edhe kënga “Suus” e Rona Nishliut.

Një këngë shumë personale dhe një performancë që morri vëmendjen e botës para disa vitesh, sidomos pëlqehet nga gjeneratat e reja të cilat vendosin ta sfidojnë veten duke provuar këndimin e këngës, e cila muzikalisht nuk tingëllon e lehtë.

Në Rumani, sidomos, kjo këngë për vite me radhë është performuar nga të rinjtë e të rejat e konkurseve ku zbulohen talentet e reja.

KultPlus dje solli performancën e Jaesmines, një vajzë e re rumune e cila morri duartrokitje pasi këndoi këngën e Ronës në një festival të njohur për fëmijë në Navodari.

Alexe Eduard-Alexandru është një djalë nga Rumania, i cili para katër muajsh në spektaklin Vocea Prahovei 2017 solli të njëjtën këngë. Një performancë simpatike e një djali me një zë klasik e solli Ronën në këtë audiencë, jo fizikisht, shkruan KultPlus.

Në fillim të vitit, Rumania e tregoi mbështetjen e saj për këtë këngë, kur Jessica Lazarescu në spektaklin The Voice of Romania këndoi këngën e Ronës. Kjo performancë ka rreth 300 mijë klikime në Youtube dhe ndoshta është ndër versionet më të mira të këngës “Suus”. Është e çuditshme, dhe fantastike se si këto talente e këndojnë një këngë në gjuhën shqipe në mënyrë kaq të mirë, kaq të qartë.

Në anën tjetër, shteti rumun nuk i dha pikë Ronës kur ajo këndoi në finale, por fuqia e këngës e tejkalon edhe vlerësimin e një jurie. Që rumunët e duan këtë këngë, po e vërtetojmë së fundmi edhe me emrin Afina Madoian, e cila solli këngën shqipe në vitin 2014-të para publikut rumun. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme