Saimir Pirgu: Në “Krishtlindje në Vjenë” do të interpretoj “Fjalët e Qiririt”

5 Dhjetor, 2020 - 9:57 pm

Saimir Pirgu, tenori i mirënjohur shqiptar, do të interpretojë në koncertin e vitit “Krishtlindje në Vjenë” që do të transmetohet në datat 21 – 24 dhjetor në televizionin austriak.

Tenori i njohur në intervistë flet edhe për vështirësitë që ka sjell Covid-19 në jetën dhe aktivitetin artistik në të gjithë botën.

“Dy tre muajt e parë ishte tepër e vështirë, unë isha në shtëpinë time në Itali, në Verona, pastaj gjatë verës u hapën aktivitete të shumta, filluam sadopak hapje që kishim dhe isha ndër të parët që nisa aktivitetet e mia si në Salzburg, Vjenë, Romë apo Napoli, aty ku ishte e mundur u bë diçka. Po prapë erdhi vjeshta e dimri dhe ne jemi përballë kësaj sfide të madhe që po i bëhet njerëzimit. Është pak vështirë, kemi ndryshuar mentalitet të të bërit art dhe gjithë artistët po mbijetojnë”, tha ai për Euronews Albania.

Njëra nga dy ariet që do të këndojë në këtë koncert është vepra e Naim Frashërit, “Fjalët e Qiririt”.

“Kam zgjedhur dy arie, njërën me tekstin e poetit rilindës, Naim Frashëri “Fjalët e Qiririt”. Për gjendjen që ndodhemi do të ishte shumë mirë se kjo drita e qiririt të ndriçonte sadopak këdo që e ka trurin të mjegullt në këtë periudhë. Dhe melodinë e Enio Morikone që këtë vit e kemi humbur dhe mendova që “Nella fantasia” është aria më e mirë për të përkujtuar mjeshtrin e madh”, tha Saimir Pirgu.

Ai tregon gjithashtu edhe për projektet në vazhdim. “Pothuajse kam një vit e gjysmë a mos më tepër që mungoj në Shqipëri dhe tani më ka marr vërtetë malli nuk po duroj dot më. Unë do desha shumë të rikthehesha në Shqipëri por dhe të vazhdonim një jetë normale. Është tepër herët për momentin po sapo të jetë e mundur do të vij se më ka marrë malli”, tha Saimiri./euronews/KultPlus.com

Të ngjajshme