‘Shkodra Elektronike’ me ‘Zjerm’ shkon në finalen e Eurovision 2025

13 Maj, 2025 - 11:17 pm

Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision 2025, ‘Shkodra Elektronike’, ka kaluar në finalen e këtij festivali, teksa sot po zhvillohet gjysmëfinalja e parë, përcjell KultPlus.

Shkodra Elektronike është një duo muzikore shqiptare e formuar në vitin 2019 në qytetin e Shkodrës, e përbërë nga producenti Kolë Laca dhe këngëtarja Beatriçe Gjergji. Ata janë njohur për stilin e tyre unik “folktronica”, që ndërthur muzikën elektronike me elemente të muzikës tradicionale shqiptare. Pas emigrimit në Itali, ata kanë ruajtur lidhjet me rrënjët e tyre kulturore, duke i sjellë ato në një kontekst modern muzikor.

Kënga e tyre “Zjerm” është një përzierje e fuqishme e tingujve elektronikë dhe motiveve tradicionale shqiptare, e cila trajton tema si dhimbja, qëndresa dhe shpresa. Teksti i këngës është shkruar nga Beatriçe Gjergji dhe Lekë Gjeloshi, ndërsa muzika është kompozuar nga Gjergji dhe Kolë Laca.

Duoja ka realizuar një tur promovues në disa qytete evropiane, përfshirë Berlinin, Selanikun, Marsejën, Oslon, Amsterdam, Mançesterin, Londrën dhe Madridin, për të prezantuar këngën “Zjerm” para publikut ndërkombëtar./KultPlus.com

Të ngjajshme