Shkolla e muzikës ‘Amadeus’ përfundon vitin shkollor me koncertin fantastik ‘Da Capo al Fine’, skena muzikore shpërthen fuqishëm në magjinë e nxënësve të talentuar

16 Qershor, 2025 - 1:00 pm

Vjollca Duraku

Shkolla e Muzikës “Amadeus” të shtunën mbrëma ka mbajtur koncertin artistik “Da Capo al Fine”, të organizuar në kuadër të përfundimit të vitit shkollor dhe të diplomimit të nxënësve të shkollës, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit në Bibliotekën Universitare u shëndrrua në një skenë të përbashkët interpretimi për të gjithë nxënësit e talentuar të shkollës, të cilët në të ardhmen pritet të jenë pjesë e institucioneve më të rëndësishme të muzikës në vend. Ky koncert plot ëmbëlsi nisi me interpretimin e nxënësve të klasës së parë me “Kamertale- “Yanke Doodle””. Duart e tyre të vogla përmes violinës, klarinetës, kitarës, violoncellos, pianos dhe trekëndshave dhuronin pamje dhe tinguj mjaft të këndshëm për audiencën e cila i ndiqte me admirim.

Kurse, nxënëset Ejona Musliu dhe Blendina Musliu morën diplomë për përfundimin e një cikli të rëndësishëm në jetën e tyre. Përmes veprave “Victor’s Piano Solo”- Danny Elfman, “Sous le ciel de Paris”- Hubert Giraud dhe “Pirates of the Aegean”- David Brues dëshmonin shkathtësitë e fituara gjatë këtyre viteve të punës së përkushtuar me profesoreshën e shquar, Valbona Petrovci.

Po ashtu, edhe Noar Dema qe një tjetër nxënënës nga klasa e Poema Dylhasit që diplomoi në këtë koncert festiv. Përmes veprës “Concertino for violoncello A-dur”- J. Breval zgjoi emocione të festës dhe gëzimit, të cilat buronin nga lëvizjet e shkathëta të djaloshit të talentuar.

Kori i shkollës ka interpretuar në mënyrë fantastike veprat: “Këndojmë me mall”-Këngë Arbëreshe, “O sole mio”- Eduardo di Capua dhe “Kushtrim Arbëresh”- Rauf Dhomi duke zgjuar emocione deri në rrëqethje. Një jehonë e jashtëzakonshme e tingujve u dhurua edhe nga interpretimi i veprave: “Trio lll D- dur, 2nd movement”- Franz Anton Hoffmeister, “Pavane”- G. Faure, “Valle”- F. Hoxha, “Pirates of the Caribbean” dhe “Xote” nga Ansambli i Kitarave.

Pika kulmore ishte interpretimi i “Marshit të Diplomimit”, që në skenë solli të gjitha grupet e  artistëve të vegjël, duke përfshirë Korin, Orkestrën Frymore, Violinistët, Cello & Kitaristët. Ky moment solemn shënoi edhe fundin e vitit shkollor dhe diplomimin e nxënësve të shkollës.

Në fund të koncerit, në një prononcim për KultPlus foli profesoresha e nderuar, Valbona Petrovci, e cila për 42 vite ka dhënë kontribut të madh në Fakultetin e Arteve, të cilin kontribut tash pas pensionimit po e vazhdon në shkollën e themeluar nga vet ajo.

“Pas pensionimit po vazhdoj aktivitetetin në shkollën “Amadeus”. Këto tre vitet e fundit kam punuar me Elonën dhe Blendinën, nxënëset që sot diplomuan. Vërtetë është kënaqësi dhe satisfaksion kur sheh që rrumbullakësohet një cikël i shkollimit. Vlen të theksohet se ky koncert nuk ka qenë fare lehtë të organizohet dhe të përgatitet, sepse të gjitha pikat muzikore janë interpretuar në grup. Kjo është një përvojë për fëmijët që i ndihmon ata të kompletohen si muziktarë, duke u koordinuar në muzikim të përbashkët. Kjo është një pjesë e veçantë e muzikimit në përgjithësi” ka thënë profesoresha Petrovci.

Megjithëse, puna me fëmijë paraqet një sfidë më vete, për profesoreshën që një jetë të tërë ia ka kushtuar pianos kjo punë paraqet një kënaqësi të jashtëzakonshme, kur para syve të saj e sheh zhvillimin e tyre si artistë të së ardhmes.

“Pas punës me student nuk ka qenë e lehtë puna me fëmijë, sepse zakonisht studentët vijnë me program të cilin iu përcaktoj paraparakisht, dhe vijnë me program të përgatitur. Ndërsa, me fëmijët e vegjël programi duhet të lexohet së bashku, e pastaj të vazhdohet me fazën e përpunimit artistik të veprës. Kështu që është pakëz më vështirë. Megjithatë unë po e gjej një satisfaksion edhe me këta fëmijë sepse e shoh nga afër zhvillimin dhe përparimin e tyre. Pra, kur sheh që prej pikës zero është duke shkuar drejt finales është vërtetë edhe kjo  kënaqësi në vete”, ka thënë profesoresha Petrovci.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës “Amadeus”, Hana Petrovci- Fetahu, tha se ky koncert ka qenë një kurorëzim i një pune të gjatë, shumë të përkushtuar dhe të jashtëzakonshme nga mësimdhënësit në bashkëpunim me nxënësit.

“Kemi pasur një përkrahje shumë të madhe edhe nga prindërit e këtyre nxënësve, të cilët i kanë sjell fëmijët shpesh në prova, për tu përgatitur për këtë koncert. E rëndësishme është që ky koncert dhe në përgjithësi shkolla “Amadeus” ka marrë një përkrahje të madhe nga ambasadat dhe institute të ndryshme. Këto përkrahje kanë ardhur si reultat i përkrahjes tonë të vazhdueshme për nxënësit e të gjitha shtresave shoqërore, jo vetëm nxënësit që kanë mundësi të ekspozohen në ambiente kulturore, edukative, profesionale por edhe për nxënësit tjerë, të cilët jetojnë në periferi të qytetit. Përmes projekteve tona ne i kemi zbuluar si talentë dhe i kemi përfshirë në edukim cilësor muzikor” ka thënë drejtoresha Petrovci- Fetahu.

Kurse, dirigjenti Vehbi Shosholli tha se ndihet i plotësuar pas përfundimit të koncertit, pasi gjithçka shkoi ashtu siç edhe ishte planifikuar.

“Po ndihem i përmbushur, pasi koncerti dhe gjithçka tjetër përfundoi  suksesshëm, duke pasur parasysh faktin që patëm performanca me fëmijë të gjeneratave të ndryshme duke filluar nga klasa e parë e deri te këta që diplomuan. Patëm grupe dhe formacione të ndryshme, lloj-llojshmëri përmbajtjesh muzikore me të cilat besoj që edhe publiku është ndarë shumë i kënaqur”, ka thënë dirigjenti Shosholli.

Megjithëse ky vit shkollor për shkollën “Amadeus” përfundoi këtu, nuk kanë përfunduar aktivitetet e nxënësve. Pjesëmarrja në koncertet garuese në Vjenë pritet të jenë ajka e punës së palodhur e profesorëve dhe nxënësve.

“Ne si shkollë që tre vjet e kemi themeluar edhe Orkestrën e Fëmijëve të Prishtinës dhe aktivitetet e radhës që do t’i mbajmë janë: Një koncert në Gjilan më 20 qershor, koncerti i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës dhe koncertet madhështore të cilat pritet të ndodhin janë koncertet që do të mbahen në Vjenë, në korrik. Këto koncerte kanë edhe karakter garues, në të cilat gara jemi pranuar për shkak të punës së madhe që është bërë”, ka bërë të ditur drejtoresha Petrovci- Fetahu./ KultPlus.com

Të ngjajshme