Shkolla ‘Prenk Jakova’ me koncert artistik në 90-vjetorin e lindjes së Mark Kaçinarit, i ndahet edhe çmim ‘Post Mortem’

30 Maj, 2025 - 6:24 pm

Vjollca Duraku

Në 75-vjetorin e themelimit, Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ka organizuar një koncert artistik dedikuar 90-vjetorit të lindjes së kompozitorit të shquar, Mark Kaçinari, ku edhe i është ndarë çmimi “Post Mortem” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe krijimtarinë muzikore, shkruan KultPlus.

Mark Kaçinari është një ndër figurat më të rëndësishme të kulturës muzikore shqiptare, i cili përveçse pedagog dhe kompozitor, konsiderohet edhe si një prej arkitektëve të parë të arsimit muzikor në Kosovë. Pas studimeve në Beograd dhe Shkup, Kaçinari ishte ndër profesorët e parë që ligjëroi në degën e muzikës, duke trasuar rrugën për brezat e ardhshëm.

Koncerti i cili iu dedikua kësaj figure emblemë të artit muzikor nisi me interpretimin e veprës “Trëndelinë” nga vajza e tij, violonçelistja Rina Kaçinari si dhe pianistja Jeta Dida Bujari- drejtoreshë e shkollës “Prenk Jakova”. Gjatë këtij interpretimi të pranishmit patën mundësi që përmes notave të lundrojnë me shpirtin artistik të kompozitorit të madh.

Kori i shkollës “Prenk Jakova” interpretoi veprat “Prenk Jakova” (piano: Magdalena Sedaj & violinë Art Krasniqi) “Nanë, o nanë”  dhe “Hakuna Matata” nën drejtimin e dirigjentes Lirjona Sylejmani. Zërat e tyre të pastër përçonin tinguj të këndshëm, që herë pas here shpërthenin në tone të larta, duke dhënë emocione të jashtëzakonshme.

Më pas, me interpretim në piano, violinë, kitarë, harmonikë dhe klarinetë u paraqitën nxënësit: Rejan Lushtaku, Diell Pasha, Iris Hasani, Dua Hoxha, Driana Sopi, Uresa Fusha, Lir Hajrizi, Bora Berisha, Buna Latifi, Noa Cana, Priam Jusufi, Princ Fanaj, Miran Korça, Dora Sylejmani,  Lindi Pasha dhe Sibora Resyli. Përmes duarve të tyre të vogla, artistët e rinj të skenës muzikore krijonin art magjepsës me vepra të Mark Kaçniarit, si dhe të autorëve të tjerë vendor dhe ndërkombëtar. Secila performancë e tyre ngjallte admirim te publiku i cili kishte zënë vend në çdo cep të sallës.

Pas perfomancave të mrekullueshme, drejtoresha e shkollës “Prenk Jakova” i ndau edhe një vlerësim “Post Mortem” kompozitorit Mark Kaçinari, që u pranua nga bashkëshortja e tij, Roza Kaçinari, dhe familja e tij.

Në një prononcim për KultPlus, vajza e kompozitorit Rina Kaçinari ka thënë se ndihet shumë krenare që vepra e babait të saj po vazhdon të vlerësohet edhe 40 vite pas vdekjes së tij.

“Ishte një mbrëmje shumë emocionale, jam jashtë mase e prekur nga talenti i rinisë së Kosovës, gjithashtu shumë e lumtur që drejtoresha me kolegët e saj të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” e kanë organizuar këtë koncert të jashtëzakonshëm sonte. Vlerësimi që u dha sonte është një gjë shumë e madhe për familjen. Më gëzon jashtë mase fakti që edhe pas 40 vitesh nga vdekja e Mark Kaçinarit, ai ende kujtohet për shkak të një mbrese të thellë muzikore që ai ka lënë në vendin tonë”, ka thënë Kaçinari.

Kurse drejtoresha e shkollës Prenk Jakova, Jeta Dida Bujari, ka thënë se ndihet e lumtur që përmes interpretimeve brilante të nxënësve është nderuar jeta dhe vepra e një prej personaliteteve më të shquara të artit muzikor.

“Ishte një program mjaft virtuoz, një program i cili kërkon impenjim të thellë në instrument, kërkon punë të jashtëzakonshme dhe besoj që secili fëmijë e ka realizuar në mënyrën më të bukur të mundshme interpretimin me të cilin ka pasur të prezantohej para publikut në këtë koncert dedikuar këtij personaliteti të madh” ka thënë Dida- Bujari.

Më tej, drejtoresha e shkollës ka thënë se institucioni të cilin ajo e drejton vazhdon të jetë lidere e të gjitha shkollave të muzikës që funksionojnë në Kosovë.

“Është një revolucion i jashtëzakonshëm që është duke ndodhur brenda Kosovës. Përpos shkollave publike në Kosovë, ka edhe qendra shkolla private të muzikës të cilat janë me të vërtetë tejet të suksesshme, por lidere e të gjitha shkollave mund të them se është shkolla “Prenk Jakova” në Prishtinë, e cila numëron rreth 74 profesionistë muzikorë, të cilët janë duke lartësuar breza të rinj artistësh, ku një pjesë të tyre patët rastin ti shihni sonte në këtë koncert” ka përfunduar drejtoresha Dida Bujari./ KultPlus.com

Të ngjajshme