Shqiptarja që po mahnit në X Factor në Danimarkë, merr epitetin si vajza me sytë Disney

29 Janar, 2019 - 2:20 pm

Jeta Zymberi

Pati fatin si të shumë fëmijëve të tjerë nga gjenerata e saj, të linden dhe rritet jashtë trojeve shqiptare, kjo për arsye të emigrimit për shkak të Luftë s së fundit në Kosovë . Por, kjo nuk i bëri asnjëherë t’i harrojnë rrënjët e tyre, por i fuqizoi të punojnë e luftojnë fort që emri Kosovë të lartësohet sa më lart dhe puna e shqiptarëve të fascinoj botën, shkruan KultPlus.

Këtë gjë tashmë edhe po e dëshmojnë shumë yje shqiptare që janë duke e mrekulluar botën me talentin e tyre. E në këtë rrugë është nisur edhe këngëtarja 20 vjeçare Albina Shyti e cila njihet me emrin artistik Albi.

Prindërit e saj kishin emigruar për në Danimarkë gjatë kohës së luftës në Kosovë. Albina ka lindur dhe është rritur atje dhe tashmë ajo është duke punuar shumë që zëri t’i dëgjohet në botë . Një vajzë e thjeshtë por me zemër të madhe e fjalë të mbushura plot emocion, ajo në një intervistë të gjatë për KultPlus, shpalosi rrëfimin e jetës së saj, që nga fëmijëria e deri te suksesi që sot ka arritur në Danimarkë, falë pjesëmarrjes së saj në X Factor.

“Me qenë e vogël në Danimarkë i ka pasur të dyja anët e monedhës. Nuk ka qenë vështirë sepse e kemi pasur një jetë shumë të mirë atje dhe prindërit na kanë ofruar të gjitha kushtet, por ka qenë e vështirë sepse në Danimarkë nuk na kanë shiku si danez, gjithashtu kur kemi ardh në Kosovë gjatë pushimeve të verës, nuk na kanë shiku si me qenë 100% shqiptarë, edhe shumë shpesh më është krijuar një ndjenjë e keqe dhe e  kam pyt veten, çka jam unë, daneze apo kosovare”, rrëfen Albina për fëmijërinë e saj si emigrante në shtetin danez.

Por ajo, e potencon faktin se gjithmonë ndjesia që është shqiptare dhe i takon këtij populli ka zgjuar ndjenja të forta tek ajo. Ajo flet me plot dashni për vendin e saj dhe e potencon fuqishëm faktin se është shqiptare dhe këtë gjë dëshiron të ja tregojë botës përmes artit të saj.

“Qysh kur kam qenë e vogël e kam ndje që unë i takoj dy kombësive, unë kam gjak shqiptari, kam familjen shqiptare dhe e dua shumë vendin prej nga vij, por unë jam edhe daneze, aty kam lindur, jam rritur dhe po vazhdoj të zhvilloj një jetë dhe karrierë atje. Prindërit e mi asnjëherë nuk më janë përzierë në ndjenjat e mia, nuk më kanë thënë që je gabim nëse e ndien një gjë të tillë , e kundërta, ata gjithmonë më kanë thënë: “Ajo që ti ndien është në rregull” dhe ky mësim më ka shërbyer shumë edhe për të ardhmen”, rrëfen tutje Albina për KultPlus.

Jeta në një shtet të huaj dhe pa asnjë familja afër, ka bërë që familja e Albinës të jenë më të bashkuar se kurrë. Por gjëja kryesore që ata i ka bërë bashkë është muzika. Nëna e Albinës gjithash është marrë me muzikë, por pas emigrimit ajo la ëndrrën në gjysmë e të cilën Albina ka nis ta vazhdojë .

“Krejt çka unë di sot është falë prindërve të mi. Kur i kam pasur vetëm 10 vjet, prindërit më regjistruan në kursin e kitarës, një kurs që në Danimarke kushton shumë. Të gjithë ju kanë thënë prindërve pse po shpenzoni kaq shumë për një kurs. Por, prindërit ju thonin që ajo ka dëshirë të madhe për të ekzekutuar në kitarë dhe ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë gjërat tjera për të ja plotësuar dëshirat vajzës”, ka treguar tutje Albina.

Tashmë janë bërë 10 vite që ajo ekzekuton në kitarë, por jo vetëm, ata në shtëpi kanë edhe piano në të cilën gjithashtu Albina di të luaj shumë mirë.

“Ne si familje shumë shpesh luajmë në instrumente si kitarë, piano, sint e çifteli. Babi e ka shumë në qejf çiftelinë. Muzika gjithmonë na ka bërë bashkë. Muzika shqiptare madje ka qenë ajo që gjithmonë mi ka zgju ndjenjat edhe i kam thënë vetës “Unë jam shqiptare”. Në secilën festë e gëzim në familje e festojmë me muzikë shqiptare.”

Por, përpos një instrumentiste e shkëlqyer, ajo ka edhe një zë të mrekullueshëm që buron si një ujëvarë nga shpirti i saj.

“Unë qysh e vogël kam kënduar gjithmonë në shtëpi, e shpesh kur më pyesin kur ke filluar të këndosh, kjo pyetje nuk ka përgjigje tek unë. Unë kam kënduar gjithmonë. Kur e kam kapur kitarën për herë të parë në dorë, e kam vizualizuar vetën me të në dorë duke kënduar në skenë. Aty kam thënë dua të këndojë gjithmonë, dua të jetoj për të kënduar, dua të udhëtojë në botë për të bërë muzikë. Unë nuk mund ta shoh vetën duke bërë diçka tjetër përpos muzikës. Është diçka e fortë brenda meje që më shtynë drejt saj”, rrëfente Albina për dashurinë e madhe që ka për muzikën.

Ajo tashmë ka përfunduar gjimnazin për muzikë, aty ku edhe pohon se ka mësuar shumë gjëra. Por, ajo nuk vazhdoi studimet, sepse dëshira e saj ishte të merrej vetëm me muzikë, dhe atë që ndjeu edhe e bëri. “Diçka që e ndjen fort brenda vetes, duhet ta ndjekësh atë rrugë 100% ose mos e fillo fare. Unë të gjithë fokusin tim e kam në muzikë.”

Ashtu qysh e vizualizoj vetën shumë kohë më parë, ashtu edhe veproi. Ajo mori kitarën e saj dhe u nis drejt audicioneve të X Factor në Danimarkë, e gjithë kjo sekret nga prindërit, duke dashur të ju lë  gjithçka befasi .

“X Factor është një mundësi e mirë sepse të jepet rasti të ju tregosh njerëzve atë që di të bësh. X Factor në Danimarkë është një format shumë i famshëm, të gjithë e përcjellin dhe është një mundësi e madhe për tu bërë e njohur. Pjesëmarrja ime atje ka bërë që të gjithë atje të më njohin tashmë. Unë nuk jam më e thjeshtë në Danimarkë. Tashmë kur dal në qytet të gjithë më flasin, kërkojnë fotografi dhe marr komplimente pafund. Kjo është një ndjenjë e papërshkruar për mua. Unë po bëj diçka që po i kënaq njerëzit, ndërsa ata po më kënaqin mua me dashurinë që po më ofrojnë. Unë gjithmonë i them vetes që do të vazhdoj të qëndrojë me këmbë në tokë”, ka folur kështu Albi për rrugën e nisur si artiste.

Pasi ka kaluar audicionet e fshehura, ajo ka kaluar me prezantim para jurisë kryesore të X Factor dhe ai prezantim për të ka qenë gjithçka.

“Kam pasur emocione të pakontrolluara, kam qarë e kam qeshë në të njëjtën kohë. Gjatë kohës së performancës nuk mbaj mend asgjë, jam fokusuar plotësisht në performancë . Pas interpretimit juria pati shumë fjalë të mira për mua dhe aty nuk mund t’i mbaja lotët”, ka thënë këngëtarja për KultPlus.

“E ke një buzëqeshje në zërin tënd, je shumë e ditur në muzikë, ke talent dhe di ku dhe si të këndosh, t’i këndon me ndjenja”, ishte komenti i një rit prej pjesëtarëve të jurisë .

“Unë jam dashuru në ty, zëri yt vjen shumë natyrshëm, si uji kur rrjedhë, ti gjithashtu i ke sytë Disney”, ka qenë komenti tjetër nga juria e që ky i fundit ka bërë që Albi tashmë të marr epitetin si vajza me sy Disney. Ajo pohon se tashmë të gjithë në Danimarkë e identifikojnë si vajza me sytë Disney.

Gjatë këtyre momenteve sa juria po e komplimentonte, Albi nuk mund ti ndalte lotët, ata ishin lot gëzimi e falënderimi për fjalët e mira që po merrte.

“Edhe nëse nuk mbërrij në finale, unë që nga tash ndihem e fituar. Kam marrë shumë famë në Danimarkë, më kanë ftuar shumë producentë e artistë të ndryshëm për bashkëpunim dhe në një farë mënyre tashmë i kam dyert e hapura për të ardhmen”.

Por, ajo që më së shumti po e lumturon këngëtaren tonë , është përkrahja e madhe e shqiptarë ve në Danimarkë të cilët i shkruajnë mesazhe pafund dhe i premtojnë që do ta votojnë deri në fund. E teksa ajo flet për këtë dashuri që po merr nga ta, fytyra i skuqet nga emocionet e skaj syrit të saj fillojnë e mblidhen disa pika loti që krejt lehtë përshkojnë faqet e saj.

“Formati i X Factor janë befasuar me famën e shpejt që e kam marrë atje, ata janë shprehur që nuk ka ndodhur asnjëherë që një pjesëmarrës i X Factor të bëhet kaq shpejt i famshëm. Kur i kanë publiku audicionet në You Tube, performanca ime ishte më e klikuara dhe ka vazhduar për 3 javë rresht të jetë më e klikuara”, ka treguar tutje për suksesin dhe famën që ka marrë nga ky format.

Menjëherë pas këtij suksesi ajo është ftuar në emision të ndryshe në Danimarkë, javën e kaluar ajo ishte e ftuar në radion në Danimarkë dhe gjatë pauzës është transmetuar kënga e Dua Lipës, kjo ka bërë që Albi të reagojë dhe me krenari të tregojë që Dua vjen nga i njëjti vend si ajo.

“Unë reagova menjëherë duke ju thënë që ne vijmë nga i njëjti vend, gjithashtu edhe Rita, Bebe, Ava Max, Njomza e të tjerë, ata u fascinuan sepse nuk ishin në dijeni, gjithashtu edhe dëgjuesit e radios u befasuan shumë kur kuptuan që gjithë këta talent që po e pushtojnë botën janë nga i njëjti vend”.

Por për të qenë e suksesshme në rrugën që e nis, Albi thotë që duhet të punosh shumë , ajo pohon që rri zgjuar edhe natën, shkruan tekste, rri deri në 10 orë në studio, fle shumë pak duke dashur kështu ta zë kohën. Njerëzit nuk i shohin këto, po për muzikë bëhet një punë e madhe, thotë ajo.

Muzika shqiptare është një tjetër gjë që Albit i rri në zemër gjithmonë, dhe një prej dëshirave të saj është të realizojë një këngë shqipe. Ajo shprehet shumë e hapur për bashkëpunime edhe me artistë shqiptarë . Por që ëndërron një bashkë punim me Rita Orën, Dua Lipën dhe Calvin Harris.

“Të ardhmen time e shoh vetëm duke bërë muzikë, duke udhëtuar për të bërë muzikë, duke bashkëpunuar me emra të mëdhenj. Gjithash do të doja të jem pjesë e festivalit Sunny Hill Festival “, e shpreh kështu edhe një tjetër dëshirë të sajën.

Krejt për fund Albi tregon që në këtë rrugë që e ka nisur ka edhe vështirë si dhe pengesa të mëdha, madje ajo tregon që shpesh ka njerëz që mundohen ta demotivojnë , por kjo gjë atë vetëm sa e motivon edhe më shumë për punë .

“Unë jam kokëfortë dhe nuk dorëzohem, sepse nëse nuk ke besim në vete as të tjerët nuk do të besojnë në ty”, shprehet krejt për fund Albi për KultPlus.

Albi, tashmë po vazhdon garën e saj në X Factor por pa të drejtën për të na zbuluar më shumë, gjithçka mbetet surprizë për publikun dhe ne mbesim me shpresë që ta shohin në majat e suksesit. Albin muna ta gjeni edhe në Instagram ku do të mund të shihni më shumë rreth punës dhe angazhimeve të saj https://www.instagram.com/adorealbi/?hl=en. /KultPlus.com

Të ngjajshme