Simbolika e legjendës së ‘Rozafës’ pjesë e fustanit të Beatriçes, e ëma zbulon detaje nga fustani ‘Zjerm’ i Eurovizionit

11 Maj, 2025 - 1:09 pm

Në një intervistë për mediat shqiptare, nëna e artistes Beatriçe Gjergji, ka zbuluar detaje nga fustani me të cilin artistja e “Shkodra Elektronike” do ta përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës- “Eurovizion 2025”, shkruan KultPlus.

Fustani i artistes Gjergji është dizajnuar nga e ëma e saj, e cila është kujdesur që fustani të reprezantojë performancën e Shqipërisë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe përmes veshjes. Një e kuqe e ndezur që në mënyrë figurative paraqet kuptimin e këngës “Zjerm”, është elementi kryesor që e karakterizon dizajnin e punuar tërësisht me dorë.

Gjysma e fustanit paraqet simbolikën e legjendës së “Rozafës”, ku njëra dorë, gjoksi dhe këmba dallohen nga gjysma tjetër e trupit. Ky dizajn i veçantë është mundësuar falë një materiali që është porositur  dhe stampuar në Francë. Ndërsa, gjysma tjetër ngjitur ka fustan me material të fortë në formë harmonike, që është siguruar në Manhattan, për t’i rezistuar lëvizjeve skenike të artistes.

Në pjesën e brendshme të pjesës në formë harmonike, fustani përmban edhe disa shtresa me një material më të hollë, që në pjesën fundore shpërthen në ngjyrat kuq e zi, si formë zjarri.

Edhe mënga e dorës së majtë ka karakteristikën e saj, e cila përmes copëzave të shumta të dizajnuar deri në detaje do të kombinohet me lëvizjet skenike të artistes Gjergji, duke dhënë idenë e shpërndarjes së zjarrit./ KultPlus.com

Të ngjajshme