Taylor Swift e sjell albumin e ri edhe në kasetë, një format që po ringjallet mes të rinjve

20 Gusht, 2025 - 8:20 pm

Kur Taylor Swift të publikojë albumin e saj më të ri Life of a Showgirl, ai nuk do të jetë i disponueshëm vetëm në platformat e transmetimit apo në vinil, por edhe në kasetë. Formati i dikurshëm, që në vitet ’80 e ’90 mbizotëronte në tregun muzikor para se të zëvendësohej nga CD-të dhe më pas nga shërbimet online, po përjeton një ringjallje të papritur. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, shitjet e kasetave janë rritur nga rreth 80 mijë kopje në vitin 2015 në mbi 436 mijë në vitin 2023.

Ekspertët e industrisë thonë se ky rikthim është kryesisht meritë e të ashtuquajturve “super fansa” – dëgjues të përkushtuar që shpenzojnë më shumë, ndjekin çdo publikim të artistit të preferuar dhe kërkojnë formate fizike përtej transmetimit digjital. Ky grup përbëhet kryesisht nga të rinjtë e Gjeneratës Z dhe Milenialët, të cilët po zgjedhin një mënyrë më intime për të dëgjuar muzikë.

Pse kthehen tek kasetat?

Përvoja prekshme – dëgjuesit thonë se duan “diçka që mund ta mbajnë në dorë”. Ndryshe nga platformat digjitale, kasetat i detyrojnë të dëgjosh albumin nga fillimi deri në fund, duke i dhënë procesit një ndjenjë më aktive.

Nostalgjia dhe koleksionimi – edhe pse blerësit janë shpesh shumë të rinj për ta kujtuar epokën e kasetave, ata i shohin si objekte të veçanta koleksioni që forcojnë lidhjen me artistin.

Pushim nga “playlist”-et – ndryshe nga kalimi i menjëhershëm nga një këngë në tjetrën, kasetat kërkojnë durim dhe përqendrim te muzika si një e tërë.

Taylor Swift nuk është e para që e përqafoi këtë trend. Ajo ka publikuar edhe albumet e saj të ri-regjistruara në këtë format, përfshirë 1989 (Taylor’s Version), që vetëm vitin e kaluar shiti mbi 17 mijë kopje në kasetë. Ky rikthim është vënë re edhe tek artistët e rinj, si Chappell Roan apo Sabrina Carpenter, duke treguar se kaseta po fiton sërish vend në industrinë muzikore.

Megjithëse transmetimi online mbetet mënyra kryesore e konsumit muzikor, rritja e kasetave dëshmon se muzika nuk është vetëm tingull, por edhe përvojë fizike – një mënyrë që brezat e rinj e shohin si më autentike dhe personale./KultPlus.com

Të ngjajshme