Ti dhe unë

19 Shkurt, 2020 - 6:00 pm

Nga: Scorpions
Shqipëroi: Bujar Meholli

Unë e humbas kontrollin sepse je ti vogëlushe,
po, e humbas tërësisht kontrollin
kur ti më sodit ashtu.
Seç ka diçka në sytë e tu që më flet sonte,
nuk jam më fëmijë, jeta i hapi dyert për mua,
një jetë krejt e re mbushur me emocione…

Kontrollin e humbas kur afër teje jam vogëlushe,
oh, mos më shih ashtu në atë mënyrë
sepse e kam vështirë të rezistoj,
kjo që reflekton në sytë e tu
a është vallë dashuri në shikim të parë?
Thjesht jeta dëshiron që ti ta dish,
krejt sekretet e saj t’i kuptosh
porsi një lule teksa e sheh që rritet…

Gjithçka është shkruar brenda zemrës tënde…

Ti dhe unë e kemi një ëndërr,
ta gjejmë një vend ku mund të fshihemi
dhe dashurinë njëri-tjetrit t’ia shfaqim.
Ti dhe unë jemi krijuar
njëri-tjetrin ta duam sot e përgjithmonë…

Koha qëndron dhe kalon
edhe kur ditët e pafajshme shkrihen në net,
unë të dua vogëlushe,
do të të dua gjithmonë,
betohem se do të jem këtu për ty
deri në ditën kur do të ikë në amshim…

Unë e ti kemi një ëndërr,
dashurinë tonë për ta gjetur
në një vend ku jemi vetëm unë e ti
ku nuk na sheh askush,
jemi krijuar që ta duam njëri-tjetrin
sot e përgjithmonë… /KultPlus.com

Të ngjajshme