“Tirana në muzikën e Aleksandër Peçit”, promovohen dy CD-të e kompozitorit

17 Nëntor, 2020 - 11:52 am

Në kuadër të 100 vjetorit të Tiranës kompozitori Aleksandër Peçi ka publikuar dy CD me punët e tij më të fundit, inspirimi për të cilat është kryeqyteti.

“Tirana në muzikën e Aleksander Peçi” është ky projekti që do të gjallërojë muzikën e Aleksandër Peçit. Dy volume që do të risjellin xhevahiret e Tiranës që gjithmonë ka tërhequr kërshërinë time”, shkruan kompozitori. Një kërshëri e nxitur nga atmosfera festive, gjallëria e ritmeve, ndjeshmëria dhe origjinaliteti.

“Për atë virtuozitet instrumental të jashtëzakonshëm, për atë ornamentike të mrekullueshme te pipzat e Tironës, për zylet e famshme që kur themi zylet nënkuptojmë adrenalinë, kur themi adrenalinë, nënkuptojmë zylet etj”, shprehet për muzikën tradicionale të Tiranës, kompozitori.

Aleksandër Peçi ka lindur në Tiranë më 11 korrik 1951. Kreu studimet për kompozicion në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1974 më pas filloi punë si kompozitor në Estradën e Shtetit (1977–1979), nga 1979-1986 ai ishte drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngët dhe Valleve Popullore. Që nga viti 1986 ai është kompozitor me kohë të plotë. Gjithashtu Peçi është Pedagog dhe që nga viti 1992 jep mësim në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.

Peçi ka kompozuar në të gjitha format e gjinitë e muzikës: këngë, muzikë dhome, simfonike, skenike (si baleti “Kecat dhe ujku”, opera “Oirat”), muzikë filmash e deri tek muzika elektroakustike.

Aleksandër Peçit në vitin 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”. Peçi ka krijuar muzikë për filma të njohur si: “Dasma e Sakos”, “Kur xhirohej një film”, Në shtëpinë tonë”, “Monumenti”, “Gjeneral gramafoni”, Në çdo stinë”, “Fillim i vështirë”, “Tokë e përgjakur”. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme