Tom Lehrer, satiristi i famshëm amerikan, ndërron jetë në moshën 97 vjeçare

28 Korrik, 2025 - 12:10 pm

Tom Lehrer, satiristi i njohur amerikan, i cili fitoi famë për këngët e tij satirike që tallnin politikën, racizmin dhe Luftën e Ftohtë, ka ndërruar jetë në moshën 97 vjeçare. Lajmin e bëri të ditur David Herder, miku i tij i hershëm, i cili njoftoi se Lehrer ka ndërruar jetë të shtunën në shtëpinë e tij në Kembrixh, Massachusetts. Ai nuk specifikoi shkakun e vdekjes.

Lehrer ishte i njohur për baladat e tij komike dhe të errëta, të cilat shpesh herë provokonin dhe ngacmonin tema të ndjeshme, siç janë politika dhe feja. Disa nga këngët më të njohura dhe të kontestuara të tij përfshinin “Poisoning Pigeons in the Park”, “The Old Dope Peddler”, dhe “The Vatican Rag”, një këngë që tallte ritet dhe ceremonitë e Kishës Katolike Romake, duke shfaqur qëndrimet ateiste të Lehrer, transmeton KultPlus

Lehrer lindi në 1928 në Manhattan, ishte djali i një stilisti të suksesshëm të kravatave dhe një pianist i trajnuar në muzikën klasike. Ai qëndroi në fakultetin e matematikës në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz deri në fund të të 70-ave, por më pas u fokusua në karrierën e tij si kompozitor dhe satirist.

Në vitin 2020, Lehrer bëri një hap të pazakontë duke hequr dorë nga të drejtat e tij të autorit, duke i dhënë leje publikut që të përdorte tekstet e këngëve të tij në çdo format, pa asnjë tarifë në këmbim.
Tom Lehrer ishte gjithashtu një person që zgjodhi të mos krijonte familje. Ai nuk u martua kurrë dhe nuk pati fëmijë, por ndikimi i tij në kulturën amerikane dhe botërore mbetet i fuqishëm përmes këngëve të tij të paharrueshme.

Me kalimin e kohës, Tom Lehrer ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme, duke provokuar mendimin dhe duke bërë publikut të mendojë për temat më të ndjeshme të shoqërisë përmes humorit të tij të ashpër dhe të mençur./KultPlus.com

Të ngjajshme