Travis Scott dhe Drake paditen pas tragjedisë në koncertin “Astroworld”, ku mbetën të vdekur tetë persona

8 Nëntor, 2021 - 10:39 am

Reperët Travis Scott dhe Drake janë paditur për incidentin në Festivalin “Astroworld” që ndodhi të premten (6 nëntor), ku mbetën të vdekur tetë persona.

Fox News ka konfirmuar se avokati i Teksasit, Thomas J. Henry ngriti një padi të dielën kundër Travis Scott, emri i vërtetë i të cilit është Jacques Bermon Webster, si dhe Drake, emri i vërtetë Aubrey Drake Graham. Padia gjithashtu përmend Live Nation dhe NRG Stadium.

Sipas një raporti nga The Daily Mail, padia është ngritur në emër të pjesëmarrësit në koncert, Kristian Paredes, 23 vjeç, nga Austin, Teksas. Paredes thuhet se ka paraqitur ankesën duke kërkuar më shumë se një milion dollarë dëmshpërblim pasi dy reperët dyshohet se “nxitën turmën” ku ai u plagos.

Festivali “Astroworld” thuhet se u bë vdekjeprurës kur turma u rrit pasi Drake u shfaq në skenë, shkruan FoxNews.

Në një konferencë për shtyp të shtunën pasdite, kryebashkiaku i Huston, Sylvester Turner konfirmoi se ndërsa mosha e një prej të vdekurve mbetet akoma e panjohur, viktimat e tjera ishin 14, 16, 21, 21, 23, 23 dhe 27 vjeç. Shkaqet e vdekjeve nuk dihen për ngjarjen që aktualisht është cilësuar si “incident me viktima masive”.

Në një deklaratë për shtyp duke njoftuar padinë, Henry vuri në dukje se Drake dhe Scott vazhduan të performonin edhe kur automjetet u përpoqën të depërtonin nëpër turmë për të ndihmuar ata që ishin plagosur dhe të tjerët kërkuan që shfaqja të ndalohej.

“Performancat muzikore live kanë për qëllim të frymëzojnë, jo të sjellin tragjedi”, tha Henry në një deklaratë për shtyp.

“Shumë nga këta pjesëmarrës të koncerteve e prisnin këtë ngjarje për muaj të tërë dhe ata meritonin një mjedis të sigurt në të cilin të argëtoheshin dhe të shijonin mbrëmjen. Në vend të kësaj, nata e tyre ishte një natë me frikë, lëndim dhe vdekje”, vazhdoi ai.

Ndërsa paditë synojnë qartë të fajësojnë Scott dhe Drake për vazhdimin e shfaqjes, pavarësisht se në dukje e dinin se turma ishte në rrezik, e dashura prej shumë kohësh e Scott, Kylie Jenner bëri një deklaratë në mediat sociale të dielën, në të cilën ajo vuri në dukje se ai nuk ishte në dijeni se sa e tmerrshme situata ishte në turmë./KultPlus.com

Të ngjajshme