Tri këngë më pak të dëgjuara nga Armend Rexhepagiqi (VIDEO)

21 Shtator, 2017 - 8:10 pm

Ndoshta secila këngë e Armend Rexhepagiqit është e njohur dhe e kënduar, edhe pse një pjesë e tyre tanimë të shkruara, kompozuara e kënduara në një kohë tjetër.

E duke marrë parasysh se këto këngë ka disa vite e dekada që janë krijuar, sot ato i përkasin këngëve që nuk i fshin historia dhe as ardhja e trendeve të reja muzikore.
Armendi ka krijuar shumë edhe për këngëtarët tjerë, por kryeveprat i ka lënë për veten e tij. Sot i zgjodhëm tri këngë të cilat i këndon Armendi dhe të cilat nuk janë në mesin e atyre këngëve që secilit na kujtohen kur përmendet ky kantautor dhe një zë i kristaltë i estradës shqiptare, shkruan KultPlus.


QAFORJA –

Këngës “Qaforja” nuk i është realizuar asnjëherë një videoklip dhe kjo ndoshta ka bërë që kënga të ketë më pak jehonë. Kënga e ka një tekst që mund të jetë lexuar me plot shpirt edhe vetëm si poezi, nën vargjet e një kitare e cila e hapë sekondën e parë të këngës. “Qaforja” është poashtu një ndër këngët që Armendi i ka realizuar më vonë në karrierën e tij.


ÇKA DO TË NDODHË ME NE –

Balada “Çka do të ndodhë me ne” dikur është dëgjuar shumë, në kohën e produksioneve dhe kasetave të formatit televiziv, ndërsa me kalimin e kohës ka mbetur në mendjen e vetëm atyre të cilët u lidhën emocionalisht me këngën. Një tekst për ndarjen, një tekst për të mos u ndarë e për të mos vazhduar si të tillë, kuptohet, për dy të dashuruar, e bën këtë këngë të veçantë dhe aspak më pak të rëndësishme nga karriera e Armend Rexhepagiqit.


I VETMUAR SONTE –

Kënga është e mishëruar me zërin e Armendit dhe me një tekst të dhimbshëm për atë në cka kalon ndoshta secili prej nesh në një periudhë a tjetër të jetës. Vetmia, shpesh di të jetë vrastare dhe e dhimbshme. “Nuk është kjo jetë, por hall i madh” dëgjohet diku në refrenin e këngës e cila flet për dhimbje, transmeton dhimbje, që tek e fundit është ndjenjë njerëzore. / KultPlus.com

Të ngjajshme