‘Turtle Fest’ dhe ‘Hapësira’ bashkojnë forcat, sjellin DJ e njohur botëror

27 Korrik, 2017 - 7:47 pm

Edicioni i këtij viti shënon dhe këtë bashkëpunim të shumëpritur në mes Turtle Fest dhe Hapësirës. Dy forca të mëdha të skenës së muzikës në Shqipëri dhe Kosovë janë bashkuar për t’ju sjellë një mbrëmje plot tundime dhe emocion, përcjellë KultPlus.

Turtle Fest është një festival i muzikës i cili sjell një lineup të emrave më të të mirë të rajonit dhe botës.

Eventi, i cili shënon edicionin e tij të gjashtë, është rritur në formë dhe cilësi, ndaj kur u publikuan të dhënat e para të emrave të cilët do kryesonin secilën mbrëmje, të gjithë mbajtëm frymën për të mësuar se cili do të mbyllë siparin e kësaj eksperience të papërsëritshme. Dhe ja tek erdhi.

Turtle Fest në bashkëpunim me Hapësira arritën të sjellin një emër i cili jo vetëm ka shënuar histori si një ndër Dj më të mirë techno, por është dhe pjesë e shtëpisë më të madhe të kësaj rryme, “Afterlife”, bëhet fjalë për Locked Groove.

Energjia e skenës së muzikës techno dhe house ka qenë terreni më i natyrshëm dhe frymëzues për Locked Groove, artistin e lindur në Belgjikë dhe të vendosur në Berlin.

Prodhimet e tij, njësoj si setet e Dj-të kanë të përbashkët shkëlqimin e himneve klasike të Chicagos dhe elementët e errët të ritmeve industriale. Ky kompleksitet dhe vizion i guximshëm e dallon atë masivisht nga çdo artist tjetër, pasi karakteristika e tij dalluese që në gjenezë ka qenë aftësia për të mos bërë kompromise dhe për të mos u ndikuar nga asnjë influencë.

Ndaj, nuk përbën çudi që vetë Scuba u tërhoq nga tingulli i Locked Groove në vitin 2012. Debutimi i tij dhe ritmet që vijuan ishin të gjitha të vlerësuara në po të njëjtën mënyrë.
Deri më tani, Locked Groove ka nxjerrë publikime të suksesshme në bashkëpunim me shtëpi si Life and Death,Permanent Vacation apo Afterlife, shtëpia aktuale e cila prodhon dhe mbështet këtë talent absolut të muzikës.

Vit pas viti, Turtle Fest zhvillon dhe perfeksionon këtë prodhim që rritet pas çdo edicioni. Nga skena madhështore, vizualet, efektet e ndriçimit dhe piroteknikat janë bërë tashmë një pjesë integrale e eksperiencës që ky festival ofron. Në edicionin e 6-të, organizatoret kanë premtuar se do sjellin eventin më të mirë deri më tani, duke e bërë pritjen për muajin gusht ende më të paduruar. / KultPlus.com

Të ngjajshme