Veprat e Aleksandër Peçit në 60-vjetorin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së

23 Shtator, 2022 - 10:54 am

Në kuadër të 60-vjetorit të Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, janë duke u përgatitur një sërë eventesh “live” dhe të regjistruara, të cilat do i paraqiten së shpejti publikut.

Televizioni Shqiptar në HD2, do të risjellë një koncert të Orkestrës Simfonike RTSH, me vepra të kompozitorit të mirënjohur Aleksandër Peçi dhe pjesë nga Ludvig V. Beethoven, me solist, violinistin virtuoz Elvin Hoxha Ganyev dhe dirigjent Murhan Cen Orhan. Koncerti do të transmetohet në (prime time) ora 21:00 dhe vetë kompozitori Peçi falenderon solistët dhe Orkestrën për 8 vitet punë së bashku dhe 10 veprat e tij të punuara me këta artistë.

Ndërkohë, Orkestra Simfonike RTSH po përgatitet për datën 26 shtator, për koncertin që do të mbahet në TKOBAP. Ky koncert do të shënojë hapjen e sezonit  e njëkohësisht të 60- vjetorit të ngritjes së kësaj orkestre, me një kontribut të paçmuar në vënien në skenën shqiptare të kryeveprave të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Ky sezon dhe koncert gjithashtu shënon debutimin e drejtorit të ri artistik të orkestrës, dirigjentit të mirënjohur francez Aurelien Azan Zielinski.

Programi i koncertit të datës 26 premton muzikë me veprat më të njohura të repertorit vendas e të huaj;  Georges Bizet, Gaetano Donizetti, Tonin Harapi, Endri Sina, Kujtim Laro, Ferdinand Deda e Dmitri Shostakoviç, dhe me dirigjentët Eno Koço, Oleg Arapi e Aurelien Azan Zielinski, si dhe solistët Kostandin Tashko, Merita Rexha Tërshana e Remi Joussemet./ atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme