Vikena Kamenica dhe Merita Rexha Tërshana, dyshja e fuqishme e ReMusica

27 Maj, 2019 - 7:00 pm

Alberina Haxhijaj

Mbrëmja e tretë e edicionit të 18-të të Festivalit ReMusica mirëpriti dy mysafire shumë të veçanta nga Shqipëria. Nën titullin “Udhëtimi Dimëror” mezzosopranoja Vikena Kamenica dhe pianistja Merita Rexha Tërshana sollën një mbrëmje të pasur muzikore. Kjo mbrëmje në qendër pati dy kompozitorë, Franz Schubert dhe Avni Mulën, shkruan KultPlus.

Mbrëmja filloi me “Një udhëtim dimri”, një cikël këngësh për zë dhe piano kompozuar nga Franz Schuber (D. 911, botuar si OP.89 në 1828). “Një udhëtim dimri” i cili ka 24 pjesë është krijuar duke u bazuar në 24 poezi të shkruara nga Wilhelm Müller.  Ky është cikli i dytë i krijuar nga Schubert me poezi të Müller, pasi që ai më parë kishte kompozuar “Die schöne Müllerin” (D. 795, Op 25, 1823).

Të dy ciklet ishin shkruar fillimisht për zërin tenor, por shpesh ndryshuar për t’iu përshtatur edhe vokaleve të tjera. Të dy veprat janë të njohura, pasi që kërkojnë vëmendje, si të dëgjuesit ashtu edhe të interpretuesit për shkak të shkallës së tyre dhe koherencës strukturore. Pianistja Merita Rexha Tërshana, e cila ka performuar disa herë në Prishtinë, është shprehur se ky ka qenë një nga koncertet më të mira që ka realizuar në Kosovë e që sipas saj do i mbetet gjatë në kujtime.

“Ishte dëshirë e jonë për të sjellë këtë muzikë të bukur të Schubertit që është një udhëtim dimri por i sjellë në pranverë dhe kisha pak frikë se mos trishtimi, melankolia, nostalgjia e muzikës do të ndikonte tek publiku në mënyrë të trishtë, por jo. Për fat të mirë, ndonjëherë duhet edhe melankolia, pasi që ne e dimë se pas një dimri gjithmonë ka një pranverë. Kështu që, ndonjëherë njeriu ka nevojë të reflektojë dhe ta kapi trishtimin për të kuptuar dhe për të shijuar më mirë gjërat e tjera. Dua të them edhe se kjo është muzikë shumë elitare, shumë akademike dhe kërkon një publik të specializuar, dhe publiku kosovar është gjithmonë fantastik”, tha Tërshana.

E si çdo herë, përfshirja e veprave shqiptare në koncerte të tilla në Prishtinë, nxitë një emocion krejtësisht ndryshe tek publiku por edhe tek interpretuesit. “O moj e bukura Arbëri” ishte vepra e cila mbylli këtë koncert e që erdhi shume bukur nga loja e pianistes Tërshana, por edhe nga zëri i bukur i mezzosopranos Vikena Kamenica. Përndryshe, për Kamenicën kjo ishte hera e parë që prezantohet në kuadër të Festivalit ReMusica. Sipas saj mikpritja e ngrohtë e publikut i ridimensionoi veprat.

“Punonim tërë kohën në studio me Meritën, të dyja bashkë, por është tjetër emocion kur t’i përballësh me emocionet e vërteta, me publikun dhe me  emocionet e tua po ashtu. Ishte një nga ndjesitë më të bukura. Kisha 8 vite pa e kënduar këtë vepër (Die Winterreise) kështu që më bëhet qejfi që për herë të dytë që unë e këndojë e sjellë në Prishtinë”, tha Kamenica.

Veprat të cilat janë sjellë nga artistët në Festivalin Remusica ndër vite, janë të fuqishme dhe shumë virtuoze. Njëlloj ishte edhe vepra “Die Winterreise” e cila zgjati 70 minuta e që është vepra e fundit që Schubert-i ka bërë. Kjo vepër tregoi një bashkëpunim të mrekullueshëm në mes të dyshes të cilat ndanin të njëjtën përgjegjësi gjatë interpretimit të veprës.

“Është një vepër e plotë, si të thuash të bësh një opera në sensin se ajo ka një anë impenjative, jo të paktë, pasi që janë 70 minuta pa ndërprerje që bëhet vetëm muzikë si nga unë si nga pianistja. Është një nga veprat që gjithmonë edhe kur shkruhet analiza, e që i është bërë ndër shekuj, ai 100% ndahet në 50/50. Gjysma i takon pianistit dhe gjysma tjetër, në këtë rast mua, ndryshe nga veprat e tjera ku pianisti qëndron në formën më shoqëruese, këtu jo, është njëlloj me solistin”, tha Kamenica duke theksuar intensitetin dhe kërkesën që ka vepra e parë.

Në anën tjetër nga Schuberti dhe Avni Mula, sonte në kuadër të Festivalit  ReMusica, publiku do të mund të dëgjoj veprat e kompozitorit George Walker dhe të Valton Beqirit. Këta dy kompozitorë do të vijnë nën interpretimin e pianistit shqiptar Redi Llupa, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme