Violinisti Olen Çezari: Për Shqipërinë time, tinguj nga e gjithë bota

23 Prill, 2019 - 10:30 am

Lucio Dalla e konsideronte si gjeniun e violinës. Virtuozi i muzikës Olen Çezari, i cili ka interpretuar me gjigantët e muzikës botërore, si Bob Dylan, sjell në Pallatin e Kongreseve emrat më të mirë të muzikës botërore.

Muzikën e tij plot kontraste, që i përcjell emocionet e njeriut në të gjitha ngjyrat, e kërkojnë kudo. Çdo vend që virtuozi shqiptar i muzikës klasike prek, lë një shenjë të thellë në shpirtin e tij, që mandej jetësohet në tinguj gëzimi e trishtimi, në tinguj violine. Rikthehet Olen Çezari sot dhe nesër në Tiranë në orën 19:00 në Pallatin e Kongreseve, për t’i dhuruar publikut të tij, tinguj nga e gjithë bota. Udhëtimin drejt Shqipërisë ai e ndjen si një domosdoshmëri. “Është diçka që vlon brenda meje, dëshiroj që muzikën që çojmë nëpër botë ta ketë edhe Tirana, ta bëjmë në njëfarë mënyre tonën. Për të na shoqëruar dhe për t’i bërë notat sa më reale unë kam ftuar Alessandro Mannarino-n kantautorin e famshëm italian. Nga Kina do të vijë Guo Gan, një instrumentist i cili do të luajë një nga meloditë më të famshme të Azisë. Vjen po ashtu për herë të parë në Tiranë bateristi që ka performuar për vite me Santanën, Pepe Sanchez. Do të jetë Eden, Shama Milan nga Kuba dhe Lavinia Mancusi”, shprehet artisti.

Në këtë rikthim të tretë në Tiranë, nuk do të mungojnë pjesë të kompozuara nga vetë Çezari të shoqëruara me momente virtuozizmi total, por edhe gjallëri spontane, duke përfshirë të ftuarit që sigurisht do të dialogojnë përmes muzikës me artistin shqiptar.

Improvizimet skenike të artistit, si të fundit herë që Çezari i dhuroi Tiranës një koncert kur i gjithë publiku u ngrit në këmbë, premtojnë edhe kësaj here ndërveprim. “Është diçka që vjen natyrshëm. Siç ndodhi në 2017-ën. Publiku ngarkohet me energji dhe mandej shpërthejnë shkëndijat. Në momente të tilla nuk ka shumë vend për të menduar për programin, ndaj tejkalohet”.

Do ta shoqërojë “gjeniun” e violinës në skenën e Pallatit të Kongreseve grupi i tij ““I clandestini internazionali” (“Klandestinët ndërkombëtarë”) me të cilin ai bën xhiron e botës prej 10 vitesh, duke shfaqur koncerte në SHBA, Kanada, Zvicër, Francë, Vietnam, Tailandë, Kinë etj. Një grup, emri i të cilit mbart një copëz histori të anëtarëve, pasi pavarësisht se kanë nënshtetësi italiane, vijnë nga vende të ndryshme, duke u bërë ambasadorë të muzikës në botë.

Pjesëmarrja e këngëtares (gjithashtu kërcimtare) Lavinia Mancusi, ndër emrat më të njohur të muzikës popullore në Itali, premton se do të këndohet shqip. “Më shoqëron e vetmja këngëtare italiane që këndon shqip në të gjithë botën dhe kësaj here ajo do të performojë një këngë shumë të famshme shqiptare. Se cila do të jetë, do ta zbulojmë nesër (sot)”, shprehet Çezari.

Mes kësaj magjie tingujsh, do të ketë gjithashtu pak nota humori. Komicitetin e Bes Kallakut, që e bëri violinistin virtuoz “ të qajë nga e qeshura” në një tryezë të përbashkët festive,  dëshiron që t’ia dhurojë edhe publikut në këtë mbrëmje të veçantë për të. “Kam qeshur me batutat e tij si rrallëherë, ndaj i kam thënë që për 3-4 minuta skena do të jetë e tij në këtë koncert. Besi do të ketë momentin e tij, por do të ketë gjithashtu një skenë të përbashkët. Do të jetë e gjitha shumë argëtuese!”.

Muzika e Olen Çezarit është aktualisht në kërkim të “7 mrekullive të botës së re”. Artisti shqiptar duke luajtur në violinë në supin e statujës së Krishtit në Rio de Zhaniero, është hapi i parë i këtij projekti dhe padyshim një nga performancat më sugjestive të tij. “Ne udhëtojmë shumë, pasi na vijnë propozime për koncerte, kështu pata fatin dhe nderin të interpretoj edhe aty. Ishte një mundësi e mirë, madje ndonjëherë më duket e pabesueshme. Kur shikoj videon, në supën e Krishtit në Rio pyes veten: Unë jam ai?!”.

Për violinistin, “Ave Maria in Rio” është një udhëtim shpirtëror dhe introspektivë në një vend të fshehur në zemrën tonë. “Një dhomë e vogël që ne kemi harruar se ekziston ‘dashuria e pastër’. E pastër, si dashuria e një nëne për fëmijën e saj, që e ndjek në eksplorimin e botës hap pas hapi”.

Dashuria është një nga elementët që njerëzit kanë më së shumti nevojë, për më tepër një vend si Shqipëria, ku sipas tij, marrëdhëniet janë më të ftohta e urat e komunikimit më të largëta. “Njerëzit në vendin tonë kanë nevojë t’i shprehin më shumë dashuri njëri-tjetrit. Kjo do t’i bënte disi të zbuteshin, pasi janë gati të egërsuar, të tendosur si telat e një violine”.

Dashurinë për Shqipërinë, Oleni e tregon duke lartësuar emrin e saj dhe vlerave kulturore e historike që mbart. Si gjatë fundit të vitit që lamë pas, ku në 550-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar Skënderbeut ai bëri bashkë emra të njohur artistësh shqiptarë në mbarë botën në teatrin “Argentina” në Romë. Një ngjarje që u shoqërua edhe me praninë e Papa Françeskut.

“Gjeniu i violinës”

Pavarësisht suksesit të madh botëror Olen ruan të forta lidhjet me rrënjët e tij. Në vitin 2017 ai zgjedh Tiranën për të regjistruar një DVD ‘live’ gjatë një koncerti të madh në Pallatin e Kongreseve. Dhe në të njëjtën periudhë merr pjesë si i ftuar special në “The Voice” në Shqipëri. Vijon turet në botë me grupin e tij muzikor, duke mbajtur koncerte në SHBA, Kanada, Brazil, Zvicër, Francë por edhe në anën tjetër të globit, në vende si Vietnami, Tajlanda dhe Kazakistani. Ka interpretuar përpara shumë personaliteteve shtetërore në botë, mes të cilëve  Giovanni Paolo II, Ratzinger dhe Papa Francesco. Lucio Dalla e konsideronte Olen Çezarin si “gjeniun e violinës”. Kantautori i madh bolonjez ishte vetëm një nga shumë artistët që kanë dashur ta kenë në krahë në skenë apo në sallë të regjistrimit: nga Bob Dilan, tek Michel Petrucciani, Lenny Kravitz, Maroon 5, Sheryl Crow, Sergio Cammariere, Franco Califano, Claudio Baglioni, Simone Cristicchi (luan në violinë tek “Ti regalerò una rosa”) apo Anna Oxa dhe Zucchero.

“Përfaqësoj popullin tim!”

Komunizmi ishte në rënie kur violinisti nga Durrësi, falë një burse u largua për të studiuar në Santa Cecilia-s në Romë. Gjeniu që mundi të performojë para publikut kur ishte vetëm 5 vjeç, e të bëhet pjesë e Institutit të Arteve në moshën 10- vjeçare, e kishte përfunduar të gjithë repertorin në dispozicion në periudhën e diktaturës, duke u bërë kjo një tjetër arsye e transferimit të tij jashtë shtetit, së bashku me emra, si Tedi Papavrami, Klodiana Skënderi etj.

Ishte i pari i diplomuar në Konservatorin e Tiranës në moshën 14-vjeçare. Mirëpo edhe pse në Itali do t’i propozonin të kalonte direkt në provimet finale, ai do të zgjidhte të thellonte studimet e tij, duke shënuar një tjetër rekord. Studenti i parë i diplomuar në konservatorin “Santa Cecilia” kur ishte vetëm 17 vjeç. Më tej do t’i vijonte studimet në “Mozarteum” të Salzburgut, por Roma do ta thërriste përsëri. Kësaj here për të jetuar do të performonte në rrugë. Aty do të njihej edhe me një muzikant që do ta ndihmonte të çonte muzikën e tij në SHBA. E priste një udhëtim plot sfida, të cilin e nisi në New York me vetëm një violinë dhe 1 dollar në xhep.  Por talenti e parapriu fatin e tij, e pas punëve në kafene do të bashkëpunonte me emra të njohur të muzikës. Të parin album e publikoi pas 20 vitesh karrierë dhe si zë përfaqësues në të zgjodhi muzikantin e njohur italian, të ndjerin Lucio Dalla. Virtuozi i violinës interpreton në të gjitha zhanret e muzikës nga klasikja, muzika pop, rok etj.

Sot, pohon se ndihet i lumtur që përfaqëson popullin shqiptar përmes artit të tij, po ashtu edhe Italinë. “I bëj të dyja dhe ndihem sikur krijoj një tjetër urë mes këtyre dy vendeve që kanë një vëllazëri shekullore”.

Edhe pse do të interpretojë në një skenë si ajo e Pallatit të Kongreseve, që siç edhe vetë tregon, nuk u krijua për artistët, e ku duhet që të gjitha pajisjet t’i marrësh nga jashtë, kjo nuk e bën të ndihet keq para kolegëve të tij të huaj që ka ftuar.  “Me Teatrin e Operës në rikonstruksion mund të thuhet se aktualisht nuk ka një skenë, por unë ndihem keq për të tjera motive”.

Ndër të cilat përmend mungesën e vëmendjes ndaj historisë e arkeologjisë, edhe në qytetin e tij, Durrësin. “Dua t’u tregoj miqve të mi periudhat që kemi jetuar, ndaj do preferoja që Muzeu Kombëtar të kishte më shumë objekte arkeologjike”. Vëren përparime përsa i përket pasqyrimit të periudhës së diktaturës, por mendon se duhet të bëhet më shumë për të ilustruar përmes artefakteve të gjitha periudhat, që nga ajo mesjetarja. / Gazeta Shekulli /KultPlus.com

Të ngjajshme