“Zambaku i Prizrenit” feston 30 vjetorin e themelimit me promovimin e dy kompakt-disqeve

21 Dhjetor, 2017 - 5:30 pm

Festivali i muzikës së vjetër qytetare, “Zambaku i Prizrenit”, më 27 dhjetor të këtij viti shënon 30-vjetorin e themelimit. Ky përvjetor do të festohet me promovimin e dy kompakt-disqeve, të cilat përmbajnë 30 këngët më të suksesshme të “Zambakut të Prizrenit” ndër vite.

Themeluesi i këtij festivali, kompozitori Reshat Randobrava, thotë se qëllimi i “Zambakut të Prizrenit” ishte kultivimi i këngës së kompozuar në frymën e këngës së vjetër qytetare, shansonës, romancës dhe formave të tjera të lira muzikore.

Shumica e këngëve të kompozuara për “Zambakun e Prizrenit” u janë kushtuar bukurive natyrore të qytetit të Prizrenit dhe jetës së banorëve të tij ndër shekuj, shkruan KL. Ky festival, prej vitit 1986 deri në vitin 1990 ishte mbajtur nën patronatin e Radio Televizionit të Prishtinës dhe Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit të Prizrenit.

Nga viti 1990 deri në vitin 2003, shumicën e herëve, “Zambaku i Prizrenit” u mbajt nën patronatin e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Agimi” të Prizrenit, ndërsa prej vitit 2003 deri në vitin 2016, nën patronatin e Drejtorisë për Kulturë të Prizrenit./ KultPlus.com

Të ngjajshme