‘Zani Band’, grupi që interpreton me një ekzaltim të pazakontë

4 Mars, 2021 - 8:07 pm

Shkruan: Stefania Melburne

Një mbresë personale duke dëgjuar këngët e albumit me titull ‘Muret’ nga grupi ‘Zani Band’

… gjërat e ” egra ” ndodhin në qetësi.
Nuk e di se, si mu rrotullua në mendje kjo fjali duke dëgjuar albumin më të ri që mban titullin ” MURET ” nga grupi tashmë i njohur, ZANIBAND.

Impresioni i parë është tepër ngazëllyes për stilin rock të kësaj bande që interpreton me një ekzaltim të pazakontë.

Zëri i vokalistit të rrëmben në krahët e tij … të shtyn të gjesh atë që kërkon me pathos për të plotësuar imazhe… për të mikluar ” egërsinë ” e interpretimit të tij duke prekur hijen e qënies tënde në vetmi… shumëherë në një vetmi të zgjedhur sidoqë është emocioni i saj…

MURET!

Në imagjinatën time, muret marrin forma të ndryshme aq më tepër kur u jap forma njerëzish dhe i vesh ato sipas stinëve… ku çdo stinë ka ngjyrat e saj si në tekstet dhe muzikën e këtij albumi ku veçojnë kompozimet e ZaniBand …

Muret për mua janë si sytë që i lë të shohin ku të duan si në brendësi të një tempulli ku janë mbledhur së bashku dhimbja… dëshira… ëndrrat e premtimet… shpresat… zhgënjimet e tradhtitë… lumturia e vdekja…

Sa shumë mund të thuash… aq sa fjalët në një moment pa e kuptuar të prekin me heshtjen e tyre… herë si dallgë të forta e herë si valë të ëmbla… kaq të ëmbla sikur nga qielli në vend të shiut… bien flutura prej sheqeri në ngjyrë të florinjtë… kaq të forta sikur nga qielli bien flokë zjarri për të, të përmendur… për të, të zgjuar nga gjumi…

Eci… ndalem… nxitoj… sipas ritmit të këngës e zërit karakteristik të Bashkimit ku më merr për dore për të më degdisur ” PËRTEJ VETES ” … diku, ku kam nevojë të rri me veten për të qetësuar shpirtin… aty ku heshtja me zemrën kërkon të zgjidhë ekuacionin e ndjenjës.

Ndërsa përpiqem të bind një qeshje mbi buzë dhe të ndal kohën… ta ndal pikërisht në çastin kur gjithçka ishte e bukur… si vetë dashuria që më pëshpërit “KE IKUR LARG ” dhe një ” ËNDËRR ” e shkëpute për ta lënë peng të dëshirës.

Sa ndryshon njeriu në raport me ëndrrat e pyes veten gjithnjë kur zhytem në kujtime?!!

Ëndrrat… si pamjet e një qyteti të ndërtuar me psherëtima e pasthirma… brishtësia e tij muzg më muzg më bën të lexoj letrën tënde të fundit ku ndër të tjera më thua;” THIRRE MËNDJEN ” sepse nesër do të jetë vonë për ne të dy.

Ndiej zemrën që më troket fort… dhe të përgjigjet se ke një vend në thellësi të saj me gjithë melankolitë të cilat nuk i janë ndarë kurrë nga jeta.

Ulem tek stoli në parkun tim të preferuar për të bërë një monolog” NË HESHTJE ” me këtë mbretëri të hekurt që trazon ajrin përreth meje duke rìmuar kërkëlima puthjesh mbi gushën time… ku befas dhe heshtja mblesërohet me të nesërmen e paditur.

Ahh muret, muret… më vjen të këlthas para fytyrës së tyre.
Ti, kurrë nuk do të mundësh të mposhtësh ato… por tashmë as unë…ndoshta kam humbur mes hapësirës së tyre…mes epshit diellor që depërton ” NË DRITARE “dhe më nxit të fantazoj… atë pra vallëzimin në një shtrat me lule maji në breg të një liqeni nën melodinë e orkestrës s’qiellit me yjet që derdhen si verë e kuqe mbi trupat tanë… e, unë dua të shpik për ty parfumin prej zërit tënd që nxjerr tinguj të shenjtë… e, unë dua të ecësh në një labirinth prej gjakut tim si në një fushë beteje mbi kraharorë heronjsh.

Dua të ndalem pak më tepër tek teksti i këngës ” TI JETON “e cila prek dhe vdekjet e jetës sime.

Thonë që vdekja e mikut më të mirë është e njëjtë me atë të Nënës e Ati’t… unë, them ndoshta është edhe më keq. Humb një pjesë të vetvetes… humb dritën në fshehtësi të trurit ku mban gjërat më të vyera… ku mban peshën e një dashurie të rritur në çdo etape të jetës… për çdo qëllim e ideal të përbashkët.

Shoku bëhet heroi yt… trimëria e guximi… liria… frymëzimi e motivi… bëhet tekst e melodi… muzë e fortë që të kap dorën e të rìngré për të rijetuar edhe për atë. Shoku bëhet fati i së ardhmes sepse të duash jetën do veten në të mirë e në të keq.

Në këtë këngë i dashur Bekim të lexoj edhe ty përmes gërmave… ndiej si e ke përjetuar këtë ikje. Ndiej zemrën e një Artisti që netët e errëta kërkon ngushëllim tek kujtimet e pavdekshme.

Teksti i thjeshtë por me një ndjenjë të madhe shpirtërore më përcjell mesazhin e nuancave të dashurisë njerëzore… se nëse nuk të shfaqen në një natë me stuhi… nuk mund t’i shohësh kurrë ditën me diell.

E di, nuk jam një heroinë por një grua e thjeshtë që ende pret ” DITË e NATË ” sinjalet e tua të frymëmarrjes …

Mbrëmja po bie mbi qytetin ku jetoj… dielli u fsheh edhe njëherë PËRTEJ VETES për t’i lënë radhën hënës, të derdhë dritën e saj mbi misterin e jetës…

I dashur Artist,
për të mbyllur përshtypjen time për albumin tuaj dua të, të shpreh kënaqësinë që më dhuruat me çdo varg të këngëve… me çdo kompozim
të vogël, të madh,
të argjend’të , të larë me lirinë e shpirtit,
vargje si një tufë e larmë sysh
që të ndjekin gjithë kohës
të dukshme e të padukshme
në lojë provokuese
interesante e lundruese
të dhimbshme në hollësi
shpesh të paçmueshme
që bien thellë në përqafim
të kthjellta për fytyra egërshake.

Vargje
të veshura në pritje të natës
të agut që udhëton me dritën e parajsës
të zhveshur nën një tango të çlirshme
mbi shkëlqime të pasqyruar hijesh të buta.

Vargjet e këngëve
të duash muzikën
të urresh rastësitë
të admirosh muzikantin.

Bashkangjitur gjeni kanalin zyrtar të grupit në Youtube. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/channel/UCJBmFTV1aRwF30kZ64BF5SQ

Të fundit

Të ngjajshme