17 Qershor, 2025 - 8:05 pm
Flonja Haxhaj
Në një mbrëmje që përçoi emocione, kujtesë kulturore dhe energji bashkëkohore, edicioni i 13-të i festivalit FemArt filloi me një performancë që kapërceu kufijtë e një koncerti tradicional.
Shkodra Elektronike, pas paraqitjes dinjitoze në Eurovision 2025, ndaloi mbrëmë në Prishtinë për të dhuruar një perofmancë të jashtëzakonshme që erdhi si një udhëtim i thellë estetik e muzikor ku trashëgimia muzikore shqiptare u përkthye në një gjuhë të re, atë të muzikës elektronike, shkruan KultPlus.
Të veçantë në paraqitje e në këndim, Shkodra Elektronike ngjalli emocione që e kapluan publikun që nga tingulli i parë, në koncertin që erdhi si një simbiozë mes muzikës së vjetër shkodrane dhe asaj elektronike.
“Po të jemi bashkë ne të dy”, “Turtulleshë” dhe “Vaj si kenka ba dynjaja” nuk u interpretuan, por u përjetuan si fragmente të identitetit shqiptar, por të risjellë në stilin e veçantë të Shkodrës Elektronike.
Momenti kulmor i mbrëmjes ishte interpretimi i këngës “Zjerm”, tashmë e kthyer në një himn të muzikës së vjetër me ritme të reja, që i tejkalon brezat dhe kohën. Salla u ndez në një valë të përbashkët emocionesh, duke e bërë këtë performancë të paharrueshme.
Më pas, me këngët “Askund” dhe “E lirë”, Shkodra Elektronike krijoi një udhëtim emocional përmes nostalgjisë dhe muzikës moderne. Çdo tingull, çdo varg, u prit me entuziazëm nga një publik që nuk e ndali duartrokitjen dhe vallëzimin nën tingujt e muzikës elektronike.
Ndërkaq, si një surprizë për publikun prishtinas, Shkodra Elektronike solli për herë të parë këngën “Stuhi”, një krijim i ri që u mirëprit me entuziazëm dhe e tregoi fuqinë krijuese të grupit.
E krejt në fund, nën kërkesat e pandërprera të publikut, koncerti u mbyll me një rikthim të “Zjerm”, që përmbylli në mënyrën më të mirë të mundshme këtë mbrëmje të paharrueshme.
Pas koncertit ku i dha publikut një eksperiencë të paharrueshme, për KultPlus foli këngëtarja Beatriçe Gjergji, e cila shprehet e lumtur për koncertin, e sidomos për mirëpritjen që merr gjithmonë nga publiku i Prishtinës.
“Një gjë fantastike që ka ndodhur sonte është që djemtë dhe vajzat që ishin në publik, nuk kanë këndu vetëm këngën ‘Zjerm’ por kanë kënduar edhe këngë që kanë dalë edhe para disa javës dhe kjo gjë fantastike. E kjo mbështetje na ka dhënë forcë qysh në momentin e parë, është e domosdoshme për njerëzit si ne që hipim në skenë, sepse pa njerëz nuk jemi askushi, e me publikun e Kosovës ndjehemi më të fortë dhe kemi një krah më të fortë”, u shpreh Gjergji për KultPlus.
Po ashtu, pas koncertit foli edhe pjesëtari tjetër i Shkodrës Elektronike, Kolë Laca, i cili u shpreh se gjithmonë, publiku i Prishtinës i ka pritur akoma më mirë se sa që e kanë imagjinuar.
“Publiku kosovar gjithmonë na ka surprizuar për të mirë. Gjithmonë ka qenë akoma më mirë se sa që e kemi imagjinuar. Edhe sonte ishte e njëjta gjë, një dashuri, një dhuratë që nuk do të harrojmë. Sot kemi dhënë edhe disa këngë që nuk janë të publikuara, por që do t’i publikojmë në fund të vitit. Është emocionale se si e mirëpriti gjithë publiku koncertin e sotëm”, theksoi Laca për KultPlus.
Ndërkaq, pas kësaj hapje, për KultPlus foli edhe drejtoresha e FemArt, Zana Hoxha, e cila konsideron këtë koncert si një hapje spektakolare dhe një muzikë që i ngjason konceptit të festivalit.
“Ishte një hapje spektakolare, e paimagjinueshme, sepse festivalet feministe e kanë atë paragjykimin e vet dhe këtë e kemi thyer sonte, natyrisht me një grup I cili ndan mesazhe shumë të ngjajshme me neve. Jam jashtëzakonisht e lumtur që kemi pasë privilegjin me pasë Shkodrën Elektronike, po edhe me shënu këtë ditë të çlirimit të Prishtinës bashkë me Komunën e Prishtinës dhe me FemArt. Unë jam besimtare e ithtare e madhe e partneriteteve. Nuk besoj në ndasi, besoj në bashkim. Bashkimi dhe diversiteti janë vlerat e FemArt, kështu që sonte kjo natë ishte me të vërtetë ai shembulli më i mirë i diversitetit edhe i bashkëpunimit”, theksoi Hoxha, duke shtuar më tutje, se kjo meritë i përket Shkodrës Elektronike dhe publikut që ishte prezent.
Ndërkaq, për gjashtë ditë me radhë, nga 16 deri më 21 qershor 2025, FemArt do të jetë një hapësirë e shenjtë për krijim, kujdes, dashuri dhe shërim – një festival ku arti nuk është vetëm spektakël, por mjet për të prekur të pathënat, për të gjetur forcë në brishtësi dhe për të imagjinuar liri të reja./KultPlus.com