30 dokumente për të dëshmuar pafajësinë, një kosovar më shumë do të sjellë murtajën

4 Gusht, 2021 - 2:31 pm

Bardhyl Salihu

Vizita duhet caktuar muaj më parë. Paraqitja në pikë kontroll e përpiktë. Një roje e sertë të hapë dyert metalike dhe ti futesh në grazhdin e të dyshuarve. Gjësendet e tua personale merren, preken, hapen. Të bëhet me dije të ulesh dhe i qetë të presësh në radhën e inkuizicionit. Çdo bashkëvuajtës është fajtor deri sa të dëshmojë të kundërtën.

Javët e fundit ke mbledhur me djersë 30 dokumente për këtë moment. Çdo gjë nën rrezet e diellit. Dëshmi për të ardhurat financiare në të cilat figurojnë gjërat më intime të jetës tënde. Dëshmi rreth vendit të punës, të jetës. Dëshmi mbi gjendjen civile dhe anëtarët e familjes brenda dhe jashtë vendit. Gjëra aq personale sa që, po të publikoheshin në rrethana të tjera, autori do të sanksionohej ashpër nga ligji evropian i privatësisë. Për këtë odisejadë të janë dashur ditë të tëra, shumë energji dhe qindra euro.

Por pa asnjë garanci. Asnjë garanci që ky kalvar do të përfundojë me shfajësimin tënd. Një zyrtar vendosë për fatin tënd duke u kapardisur në kolltukun e tij, pa të njohur ty dhe rrethanat e tua. I bezdisur që një plebe po e kërkon atë që i takon edhe kriminelëve më të regjur të kontinentit, lirinë e lëvizjes, me kusht që e kanë vuajtur dënimin dhe e kanë atë copë letre që quhet pasaportë.

Ky gjykues dhe eprorët e tij politikanë që e kanë getoizuar një vend të vogël nuk duan t’ia dinë që ti nuk e ke ndërmend të shkelësh ligjin. Në të kundërtën nuk do t’ju afroheshe për të kërkuar shfajësimin por si i fajshëm do ndiqje rrugët ilegale për të kaluar kufirin. Dhe do talleshe me muret e tyre të moralizimit. Ata druhen që pasi miliona ukrainas në gjendje lufte e miliona refugjatë sirianë të kenë lëvizur lirshëm në tokën e tyre të shenjtë, një kosovar më shumë do të sjellë murtajën.

Premtimi i tyre për shfajësim kolektiv mbi bazën e disa kushteve që e pranojnë vet se janë përmbushur zbehet përherë. Sikur premtimi i një tregtari mashtrues i cili gjithmonë sajon arsyetime të reja që e tejkalojnë banalitetin e të vjetrave.

Muri i Berlinit nuk ka rënë. Ti dhe të tjerët në Kosovë jeni blloqet e fundit mbi të cilat gjembat e egër të ndarjes qëndrojnë të thepisur. Pasaporta e Republikës është ylli yt i Davidit i cili të veçon si kriminel i zgjebosur, larg të cilit evropianët e qytetëruar duhet të mbajnë distancë sociale. Në fjalët e Primo Levit, ti je një skllav i privuar nga të gjitha të drejtat, i zhveshur para çdo fyerje, i dënuar me vdekje të sigurtë.

Por po nga i njëjti autor vije shpresa: “…ne ende e kemi një fuqi dhe duhet ta ruajmë atë me të gjithë forcën tonë sepse është e fundit – fuqia për të mos dhënë pëlqimin. Kështu që ne duhet patjetër të lajmë duart pa sapun në ujin e ndotur dhe të thahemi me palltot tona. Ne duhet të lustrojmë këpucët tona, jo sepse rregulli e kërkon, por për dinjitet dhe hije. Ne duhet të ecim trupdrejtë, pa tërhequr këmbët zvarrë, jo si homazh ndaj disiplinës prusiane por për të qëndruar të gjallë, për të mos filluar së vdekuri”./ KultPlus.com

Të ngjajshme