Po të kishte jetuar moshën e tij në botë, sot do ishte në listën e njerëzve më të shquar të botës

2 Gusht, 2018 - 10:00 pm

Nga Erion Kristo

Këtë mëngjes e kalova duke dëgjuar zërin mbretëror të Gaqo Çakos. Isha në mëdyshje, a të shkruaja diçka për të? Unë nuk e kam njohur. Po a ka nevojë artisti për ta njohur? Dhe ky artist është tejet i rrallë, më i rrallë se uraniumi. Çfarë ngjyre zëri, gurgullime burimi. E dëgjoja dhe nuk ngopesha.

Sytë i kisha me lot. Jo nga dhembja e humbjes, se një njeri i tillë nuk humbet, por nga emocionet që të shkakton arti kur të prek telat e zemrës. Dëgjoja “Nessun dorma” dhe mendoja se ai nuk bie asnjë miligram poshtë talenteve më të mëdha të botës.

Dëgjoja “As aman o trëndafili çelës”, dhe shumë këngë të tjera fantastike që ne kemi. Dhe mbetesha pa gojë nga fuqia e një njeriu për të gdhendur ajrin përmes zërit, për t’i dhënë formë diçkaje eterike si muzika. Dëgjoja poezinë e mrekullueshme të Xhevahir Spahiut dhe muzikën sublime të Limos Dizdarit se si përjetësohen nga disiplina artistike e Gaqos te Gjethja e dafinës. Dhe mbi të gjitha spikat himni i tij mbi atdheun, “Rrugët e atdheut më thërrasin”.

Kësaj familjeje artistike i detyrohemi shumë, qoftë Luizës, qoftë Pirros. Mbi të gjitha për fisnikërinë e tyre. Shikojeni sa fisnik ka qenë ky njeri, si kollos duket, me mollëzat e kuqe, i drejtë si plep, që ka zënë kaq pak vend në vendin tonë. Megjithëse Artist i Popullit dhe Nder i Kombit, ai kurrë nuk ka bërë reklamë për vete.

Shikojeni pak minuta emisionin e shkëlqyer që “Wake Up” ka bërë për të para 3 vjetësh: thjeshtësia vetë, emocioni vetë, dashuria vetë flasin përmes tij. Sa pak vend ka zënë ky njeri. Po të kishte jetuar moshën e tij në botë, sot do ishte në listën e njerëzve më të shquar të botës. Gjithsesi, është në listën e të paharruarve tanë dhe bronzi është pak për të.

Në vend të ngushëllimeve, në sot mund të postojmë këngët e tij, sidomos ato populloret. Të vjen keq kur shikon aq pak shikime për një zë që s’ka për të ardhur me tek ne. Postoni sot këtë gjigand të pakrahasueshëm e të vërtetë./KultPlus.com

Të ngjajshme