Agim Vinca kritikon emisionet televizive për gabimet e shumta: Kur gabimi bëhet rregull  

17 Qershor, 2025 - 11:04 am

Agim Vinca

Mbi përdorimin e gabuar të foljes “jap” (me dhanë)

Folja “jap” është folje kalimtare, e cila ka një larmi formash bazë dhe një denduri të lartë përdorimi. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (2006) thuhet se “jap” ka format bazë “jap, dhashë, dhënë” dhe kuptimet: 1. i dorëzoj, i zgjat a i vë përpara dikujt një gjë për ta marrë, për ta pasur të tijën, për ta përdorur etj. i fal dikujt një gjë timen. 2. kuptim i figurshëm; e pajis me diçka; dhuroj: i dha një gotë ujë; i dha qumësht; i dha dorën; i dha një tufë lule; na ka dhënë një roman të bukur; i dha shkollë (dije); jap jetën (gjakun) flijohem, bëhem theror; jap kokën (shpirtin) e do shumë. 3. në ligjërimin bisedor: fejoj ose martoj vajzën me dikë: e ka dhënë në shtëpi (në familje) të mirë; kanë dhënë e kanë marrëkanë lidhje krushqie. 4. ia besoj a ia ngarkoj diçka; ia bëj të ditur: i jap një detyrë (një rol); dha lajmet; dha sqarime; i jap leje; jap llogari. 5. në ligjërimin bisedor. nis të bëj diçka shpejt a me vrull; i bie a e qëlloj dikë: i dha një grusht (një shuplakë): i dha dru (dajak) e rrahu; i dha dërrmën e dërrmoi. 6. nxjerr, prodhoj; arrij diçka; veta III krijon, formon, shkakton a shfaq diçka: dha shumë bereqet; jep qumësht (lopa). 7. kuptim i figurshëm. nis menjëherë e me fuqi; lëviz diçka me vrull; shpërthej: ia dha vajit; ia dha vrapit. 8. krijoj lehtësi a mundësi për të bërë diçka, lejoj të bëhet a të ndodhë diçka (edhe në një varg njësish frazeologjike): i jap shkak (rastin); i jap dorën e ndihmoj; i jap udhë (diçkaje) e zgjidh; i jep jetë; i jep gjallëri e gjallëron; i jap zemër (dikujt) e nxit; i jap ndihmë e ndihmoj; i jap dritë e ndriçoj; i dha shkollë e shkolloi; i dha fund e përfundoi. 9. shtroj (një drekë a darkë); organizoj e bëj (një shfaqje, një koncert etj.); bëj a krijoj diçka: dha një darkë (një pritje); dha shfaqje; kaq jep ai. 10. në ligjërimi bisedor; ngas një mjet udhëtimi; vë në lëvizje diçka: i jap makinës (veturës); jepi shpejt (majtas). 11. në ligjërimin bisedor; përcaktoj çmimin e diçkaje a moshën e dikujt; paguaj me çmimin që dëshiroj: sa jep ti?; i dha shumë (pak); sa vjet i jep atij? 12. si pasthirrmë;përdoret për të nxitur dikë: jepi, forca!; jepini, burra!

Në mënyrën dëftore, kjo folje del si vijon:

E tashmja: jap, jep, jep, japim, jepni, japin; E pakryera: jepja, jepje, jepte, jepnim, jepnit, jepnin; E kryera e thjeshtë: dhashë, dhe, dha, dhamë, dhatë, dhanë; E kryera: kam dhënë, ke dhënë, ka dhënë, kemi dhënë, keni dhënë, kanë dhënë; Më se e kryera: kisha dhënë, kishe dhënë, kishte dhënë, kishim dhënë, kishit dhënë, kishin dhënë; E kryera e tejshkuar: pata dhënë, pate dhënë, pat(i) dhënë, patëm dhënë, patët dhënë, patën dhënë; E ardhmja: do të jap, do të japësh, do të japë, do të japim, do të jepni, do të japin etj.

Për ta “thjeshtuar” punën, nuk po i japim trajtat e kohëve të tjera të foljes: E ardhmja e përparme etj. 

Përdorimi i gabueshëm i foljes jap (me dhanë) në Kosovë ka marrë dhenë. Në jetën e përditshme, në biseda, në media, në Kuvend, në tubime publike, në emisione radiotelevizive, nëpër librari, në biblioteka… Edhe në instancat më të larta shtetërore e në institucionet më prestigjoze kulturore, arsimore dhe shkencore, pothuajse kudo. 

Për çdo ditë dëgjojmë: “Kemi me japë…”, “mundesh me e japë…” , “… Filani ka japë…”, “e japa një provim”, madje edhe në përcjellore: “duke japur”, “duke i japur” etj. etj.

Po japim disa shembuj konkretë, që i kemi regjistruar herë pas herë në emisionet televizive dhe në medien tjetër.

Moderatorja e emisionit shumë të ndjekur të RTV Dukagjini, “Radar”, e zonja në punë të vet, bie vazhdimisht në grackën e këtij gabimi: “Kemi me japë (në vend se do të japim ose kemi me dhanë) edhe një shpërblim”; “Të falënderoj për kontributin që ke japë (në vend se që ke dhënë); “i falënderoj edhe prindërit e tu për edukatën që ta kanë japë (të kanë dhënë)”. (Radio Dukagjini, emisioni Radar, 30. 6. 2017). I njëjti gabim rishfaqet edhe në një emision tjetër: “Për edukatën që i kanë japë prindërit fëmijës” ose, siç thuhet shpesh gabimisht: “fëmiut”! (TV Dukagjini, 14 mars 2025).

 “Fan Noli ka japë kontribut të madh…” (RTK, 28. 2. 2018).

Ka edhe shumë shembuj të tjerë, që vrasin veshin, si: “Mundesh me e japë (në vend se mund ta japësh ose me e dhanë) mendimin tënd”, dëgjohet për çdo natë në debatet e shumta televizive, madje edhe në mënyrë më të  vrazhdë: ”Çka po do me t’japë tjetër?!”.  

Një gazetar zhurmaxhi bërtet nga ekrani sa i ha zëri: “Kanë dështu edhe partitë e tjera, por kanë japë dorëheqje!…”. Domethënë, ato paskëshin “japë”, kurse ky ose kjo s’po jepka!

Më 2 prill, në Ditën botërore të autizmit, në programin e mëngjesit, ndoqa një emision kushtuar kësaj sëmundjeje. Mjeku i ftuar në studion e KTV-së (në të vërtetë ishte mjeke), thoshte: “Informatat që prindi na ka japë…”, në vend se “Informatat që prindi na ka dhënë…” etj.

Një mjek tjetër, mik imi, profesor universiteti, pasi i flas për një ekzaminim mjekësor, më thotë: “Diagnoza që ta ka japë mjeku nuk është e saktë…”. 

Shembujt e mësipërm tregojnë se krahas sëmundjes gjithnjë e më të përhapur të autizmit, ekziston edhe autizmi gjuhësor, kaq i përhapur në mediet tona të shkruara e elektronike.

Gjuhëtarët tanë më shumë merren me gjëra periferike, çfarë është, fjala vjen, edhe përdorimi i fjalës media (në njëjës) dhe medie (në shumës), sesa me masakrimin që i bëhet foljes “jap”!

Edhe presidentja e Kosovës, zonja Vjosa Osmani, e cila në përgjithësi e flet mirë gjuhën (shqipen letrare), e bëri këtë gabim ditë më parë. “… M’ka japë kënaqësi takimi me ju” (me fëmijët), tha në emisionin “Në kurthin e Piter Panit”, të moderuar nga Alketa Vejsiu dhe të emetuar më 6 qershor 2025 në TV KLAN. 

Shihet se ka rënë nën ndikimin e mjedisit, sepse gabimi që përsëritet shpesh bëhet rregull!

Kështu po ndodh në Kosovë me përdorimin e foljes “jap”, veçanërisht në kohën e kryer: “kam japë”, për “kam dhënë”!

Kam pritur që për këtë dukuri të shëmtuar të reagonte ndonjëri nga gjuhëtarët tanë, sepse gabimet nuk ndreqen pa i korrigjuar, por një reagim i tillë deri më sot ka munguar./ KultPlus.com

Të ngjajshme