Të famshëm në paqe, dembelë në luftë

19 Qershor, 2019 - 8:59 pm

Ernest Hemingway

Toronto Star Weekly/13 mars 1920

Shumëkush drejton gishtin kah kanadezët të cilët shkuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të punuar nëpër fabrika municionesh dhe që tani kërkojnë pesëmbëdhjetë përqindëshin e pagave të tyre amerikane. Gjatë luftës së fundit me Gjermaninë, një numër torontianësh të moshës për ushtri shprehën dëshirën të ndihmonin në luftë duke emigruar në Shtetet e Bashkuara për të kontribuuar me krejt ekspertizën e tyre në fabrika municioni. Me mbledhjen e tubave të parave nëpërmjet punës së tyre patriotike, ata tani kërkojnë të kthehen në Kanada dhe të marrin pesëmbëdhjetë për qind të parave nga ShBA-ja. Me qëllim që t’i ndihmojmë këta njerëz sypatrembur, të cilët ndihmuat luftëtarët, kemi përgatitur një përmbledhje se “Si të bëhesh i famshëm edhe si dembel”.

Natyrisht se ishte më e udhës që një punëtor municioni të kthehej në një qytet tjetër se në atë prej të cilit ishte larguar. Qytetarët e qytetit të lindjes mund t’ia kenë keqkuptuar motivet dhe rreziqet me të cilat ishte përballur gjatë punës për prodhimin e municioneve.
Vështirësia e parë që duhej të kapërcehej do të ishte emblema e misioneve luftarake tejoqeanike në kuadër të Forcës Ekspeditive Kanadeze. Kjo natyrisht se është e zorshme të menaxhohet. Nëse dikush ju pyet se pse nuk e mbani emblemën, kthejani me arrogancë: “Nuk kam pse të fryhem për shërbimin ushtarak!”

Duke ia plasur kështu në fytyrë, me siguri se e bëni të ndihet në siklet këdo që ende fryhet për shërbimin ushtarak. Dhe nëse ju rastis t’ju pyesë dikush në ndonjë mbrëmje vallëzimi nëse e keni takuar ndonjëherë kolonelin Smithers në Francë, ose nëse ndonjëherë keni pasur punë me majorin MacSwear, lirisht kthejani ftohtë: “Jo”, sa për ta hequr qafe. Kjo do t’ia tregojë atij ose asaj vendin dhe, mbi të gjitha, kjo është e gjitha çfarë mund të themi.
Është e udhës që të shkoni në ndonjë dyqan të teshave e koteshave të përdorura të ushtrisë dhe të blini një xhup ushtrie. Asi që vishet midis dimrit, me qëllim që të mund të fryheni para të gjithëve se keni kryer tamam shërbim ushtarak e nuk keni qenë pjesë e MC-së (Kryqit të Ushtrisë). Nëse nuk mund ta gjeni ndonjë xhup të trashë dimri, atëherë blini një palë çizme ushtrie. Kështu do t’ia mbushni mendjen kujtdo që e takoni se shërbyet në ushtri.

Xhupi i trashë dhe çizmet e ushtrisë do t’ju hapin rrugë që së paku njëherë të njiheni si pjesë e njerëzve të kthyer nga lufta, që është qëllimi i parë që dëshironi ta vini në pah nga koha e luftës. Gjykimi juaj, se kjo ishte arsyeja pse morët udhë drejt Shteteve të Bashkuara, tani do të justifikohet, do t’i gëzoni përfitimet e shkuarjes në luftës dhe nuk do t’ju dalë asnjë pengesë para vetes.

E udhës do të ishte që të mësonit edhe vargjet e “Mademoiselle from Armentiéres” dhe “Madelon”. Këndoni vërshëllueshëm këto balada fetare derisa prisni ndonjë makinë në rrugë dhe krejt do t’ju marrin për luftëtar të kthyer nga lufta. Dhe nëse nuk jeni njeri gjaknxehtë, mos provoni fare t’i mësoni fjalët e atyre dy himneve të vjetra.

Blini ose huazoni një histori të mirë lufte. Mësojeni me kujdes dhe kështu do të jeni të zotë të flisni me urtësi për çdo pjesë të frontit. Dhe në të vërtetë, ju mund të flisni fije e për pe sa për të provuar se jeni një veteran mesatar që flet me ndonjë pasaktësi, por që nuk bën kushedi farë dëmi nëse nuk mund të verifikohet. Ushtari mesatar ka kujtesë mesatare për gjynah kur vjen puna te emrat dhe datat. Përfitoni edhe prej kësaj. Me pak studim të kujdesshëm, mund ta kuptoni se ata që thonë se ishin në filan vendi, nuk kanë lidhje me luftën, sepse juve ju ndihmon në këtë pikë fakti se në ushtri të gjitha ditët janë të njëjta në të shumtën e rasteve. Dhe këtë më së miri e vërteton një rreshter rekrutimi kur thotë: “Çdo ditë në ushtri është si e diela në fermë”.
Dhe tani që ju ua keni mbushur mendjen të gjithëve se gëzoni statusin e veteranit të luftës dhe heroit të mundshëm, pjesa e mbetur është puna më e lehtë. Tregohuni modest dhe jo rrahagjoks, dhe nuk do të keni kurrfarë telashesh. Nëse dikush në zyrë ju drejtohet me “major”, vetëm çojani dorën, qeshuni dhe pabujshëm theksoni: “Jo, jo bash major”.

Pas këtij muhabeti do t’ju njohin në zyrë për kapiten.
Tani që keni shërbyer në front, jeni patriot i dëshmuar dhe zyrtar i denjë, ju ka mbetur vetëm edhe një gjë. Rrini fikall vetëm në dhomë natën. Me kujdes të madh, hidhjani një sy çekut të bankës. Pastaj kthejeni prapë në tavolinë, aty ku e morët.
Në fund, dilni para pasqyrës e shikojeni veten në drita të syve, dhe kujtojeni se janë 56 mijë kanadezë të vdekur në Francë dhe Flanders. Pastaj fike dritën dhe futja gjumë.

(Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”. Në katër ditët në vazhdim do t’i publikojmë katër reportazhe të tjera të Heminguejit)

Të ngjajshme