Anektoda dhe situata komike nga jeta e aktorit Aleksandër Moisiu (FOTO)

2 Prill, 2018 - 3:00 pm

Nga Pjeter Logoreci

Është në natyrën e njerëzve të kenë kureshtje për shumë gjëra që i rrethojnë. Aq më shumë kur bëhet fjalë për figura të spikatura të botës artistike, politike, sportive…. Mua më ngacmoi kurioziteti për të njohur jetën e të madhit Aleksandër Moisiu. Ndodhë që kur ndeshesh me gjëra të reja, kurioziteti kthehet në interesim e interesimi në qëllim, e ndoshta në hobby. U ndodha fatmadh që munda të kem në dorë e të shoh gjëra që jo çdonjëri mund ti shohë, nga jeta e këtij kolosi. Foto madhështore, për nga profesionalizmi e përmbajtja, letra imtime familjare e shoqërore, gazeta me artikuj kritik të kohëve kur jetoj artisti (në shumë gjuhë), procesverbale dhe fatura shpenzimesh, vërtetime honorarësh që mbanin firmën e bashkatdhetarit tim.

Pas disa shkrimeve në SUPLEMENTIN RILINDASI që patën informacione të panjohura nga jeta artistike e private e Moisiut, dëshiroj kësaj here të shuaj kureshtjen e lexuesit shqiptar duke zbuluar anën tjetër të këtij gjeniu, atë njerëzore, shpirtin optimist e plot humor me të cilin ai kaloj shumë situata të vështira në jetë.

Natyrshëm edhe një person i famshëm, si kushdo tjetër , përjeton momente në jetë të cilat e sjellin në situata tragjikomike.

Edhe Sandro-ja i ynë, që në vitet e fëmijërisë kishte natyrë të heshtur e të shkujdesur, por dallohej për karakterin e tij të ndjeshëm, për inteligjencë, për fantazi e humor. Familjarët tregojnë që ai gjithmonë krijonte situata gazmore, ku përfshiheshin të gjithë.

Një herë për të tërhequr vëmendjen e nënës dhe për të “ndëshkuar” motrën e cila zgjohej shumë vonë nga gjumi, ai ishte gjunjëzuar te fundi i shtratit të saj dhe me duar të bashkuara, bënte sikur lutej për një njeri që nuk “do të zgjohej më” . Situata komike dhe humori i sjelljes së tij detyruan nënën, e cila ishte natyrë shumë autoritare, të vejë buzën në gaz dhe ti qortojë të dy….

Motra Melanie kujton: gjatë kohës të pushimeve të verës, familja kalonte disa ditë pranë detit, në Grignano. Sandro, që ishte një notar i mrekullueshëm, hidhej nga shkëmbinjtë e lartë në ujë dhe argëtohej shumë. Një herë hipur mbi një shkëmb të bregdetit filloj të këndojë këngën e dëgjuar të detareve: mbi kuvertë qëndroj, në mes të shtrëngatës, lamtumirë Atdheu im i dashur, unë i përkas detit…. dhe në fjalën e fundit u hodh dhe notoj aq shumë nën ujë, saqë nëna vrapoj e merakosur drejt detit duke thirrur: ku është ai, ku është ai?? Dha ai ….. “huch…”….u ngrit me zhurmë tek këmbët e nënës së frikësuar: …duke thirrur….ja tek jam …. përsëri në tokën italiane…

Më vonë kur ai ndodhej në udhëtime apo në turne në vende të ndryshme të botës, dërgonte në shtëpi karta ekspres për të përshëndetur familjen e veçanërisht nënën duke bërë të njohur dhe vendin ku gjendej. Paguhej mirë për shfaqjet, por edhe biznesi i shitjes së pllakave të gramafonit me zërin e tij i solli shumë të holla. Në festat e fundit të vitit, kur qëllonte të ndodhej larg familjes, kujdesej që karta e urimit të krishtlindjeve ti arrinte nënës me saktësi në natën e festës. Një herë në këtë vigjilje ai dërgoj një shumë të madhe parash për familjen të shoqëruar me një kartoline mbi të cilën shihej “koka e tij mbi një pllakë gramafoni”…. Nëna që i kuptonte mirë “lojërat e tij”, na e zbërthej “mesazhin” … shuma e parave që ka dërguar vjen nga fitimi i madh që ai ka kohët e fundit nga shitja e pllakave të gramafonit…

Kur ndodhej në ndonjë hotel në Paris apo kur darkonte në ndonjë restaurant, ai bënte shumë humor me kamerierët dhe punonjësit e hotelit të cilët e njihnin mirë: …kur erdha për herë të parë në Francë , i tregonte atyre, mundesha krejt mirë të flas frëngjisht, flisja ngadalë, por qartë dhe më kuptonin kudo, por….unë vetë… dhe gajasej së qeshuri ; – unë vetë nuk kuptoja gati asgjë çfarë më flisnin…

Moisiun e shihje kurdoherë të rrethuar nga gratë, ishte heroi i tyre. Aq sa i famshëm e specialist ishte ai për “skenat e vdekjes”, po aq i famshëm dhe specialist ishte ai me gratë. Lidhjet e tija dashurore diheshin nga të gjithë fansat e gazetarët. Por kur bëhej fjalë për familjen apo gruan e tij, ai ishte shumë xheloz. Një herë gruaja e tij e dytë nga Berlini, Hetha Hambach e lodhur nga xhelozia e tij e pakuptimtë, vendosi ti bëjë një “leksion surprizë”…. Më të hyrë në apartamentin e tij në Berlin, Aleksandri u përball me një letër të hedhur si për shpejt mbi dysheme. Letra përmbante pak fjalë të shkruara keq nga nervoziteti. “ Isha KOTELJA ..yte, tashti jam e vdekur” . Me një tronditje të papërshkruar në shpirt, duke ndjerë veten fajtorë për situatën e krijuar, ai alarmon policinë e cila fillon të kërkojë kufomën e Hertha-s. Atij i vjen ndër mend që e shoqja e kishte kërcënuar se “do të hidhej në lum po qe se nuk do të kishte tjetër në jetë….” ..E tmerrshme…mendon Aleksandri, a thua të ketë ngjarë….dhe kërkoj gjatë gjithë natës së bashku me policët, ndërkohë që Hertha gjindej te një shoqe e saj duke shijuar këtë “kurth hakmarrje”.

Në botën e artit që e rrethonte ai përballej shpesh edhe me intriga apo thashetheme për të cilat gazetarët ishin shumë të ndjeshëm.

Gjatë një mbrëmje festive, kujton e shoqja Terwin, në praninë e shtypit, regjisori Reinhardt tha: …djaloshi i ri që sapo njoha, është aktori që më duhet. Të nesërmen në një ndër gazetat ditore të Berlinit shkruhej: zotëri Moisiu është aktori i zgjedhur nga Max Reinhardt, ai do të marrë fitimin, tash i mungon vetëm talenti…..

Moisiu ishte shumë i njohur për zërin e tij të veçantë. Ai këndonte shumë, por edhe i duhej të kujdesej për zërin. Ndodhte që nga njëherë zëri nuk i bindej ose kishte ngërçe nga të bërtiturat e forta në rolin e Fedjas. Ndodhi që në provën gjenerale të “KUFOMES SE GJALLE” që ishte roli më i zgjedhur e më i dashur i jetës së tij, të pushtohej nga emocionet. Një ndjenjë ankthi që në gardërobë bëri që ai ti lutej shumë herë regjisorit Max Reinhardt që të ndërpresë provën…, zëri ju bllokua dhe sytë i lotonin pa pushim. “Ky është risku i punës së aktorit shpjegonte Moisiu..këto janë gjëra që nuk mund ti parandalosh…e rëndësishme është të mos ngjasë në premierë..”

Në mesin e dhjetorit 1930 në një gazetë ditore Vjeneze doli një lajm i pazakontë i cili bëri që emri i Sandros të përflitej ditë me radhë. Gjëja e pazakontë ishte jo emri i Aleksandër Moisiut, por një vjedhje spektakolare në vilën e tij në Hernals të Vjenës. Shtëpia, ku banonte Moisiu kur ndodhej në Vjenë, ishte në një zonë kodrinore të rrethuar me pyll e jo shumë të populluar të qytetit. Hajdutët hynë në vilë duke thyer xhamin e një dritareje në katin përdhes dhe meqenëse vila ishte e pabanuar, ato patën kohë gjithë natën për të “punuar” të qetë duke i bërë shtëpisë një kontroll të hollësishëm. Pasi përcaktuan gjërat që do të merrnin me vehte u ulen me nge të shijonin të patrazuar dy shishe me shampanjë që gjetën, e më vonë iu erdhi frymëzimi për të bërë humor apo komedi, duke veshur me radhë kostumet që aktori mbante në gardërobën e tij. Rrethuar nga dekori i këndshëm i shtëpisë, dy grabitësit u ndjenë për orë të tëra aristokratë, saqë kur u larguan, duke marrë me vehte peliçe të çmueshme, kostume dhe stoli prej argjendi me një vlerë rreth 10 000 Shilling.. , dolën të veshur si gjentelmen, sipas modës më të re “në kokë me cilindër vezullues e në këmbë këpucë lustrafino”. Por eleganca e tepruar i tradhtoj pasi tërhoqën vëmendjen e kalimtarëve që i njohën, gjë që qoj në kapjen e tyre një ditë më pas. Të dy hajdutët ishin personazhe të njohur në atë zonë, njëri i quajtur Franz Horn ishte ndihmësi i kasapit të lagjes dhe tjetri Ferdinand Guttmann ndihmës në dyqanin e argjendarisë aty pranë. Të dy pranuan vjedhjen dhe treguan që gjërat i kishin shitur tek një i njohur i tyre për 158 Shilling, ku dhe u gjetën të padëmtuara. Hajdutët u dënuan nga gjykata për vjedhje me thyerje të pronës private.

Shfaqjet përfundonin shumë herë me vdekjen e personazheve kryesorë të cilët i interpretonte Moisiu dhe shpesh atë e lodhte mendimi që të mos “vdesë njëlloj me herët përpara”. Ndodhi në Teatrin Gjerman, gjatë shfaqjes të George Bernard Shaw “Dilema e Doktorit” ku ai interpretonte piktorin Debudat, që në aktin e katërt duhej “të vdiste”. Ishte një skenë makabre….Moisiu , i veshur me këmishe nate ishte i ulur në një karrocë të sëmurësh, në agoni. Gruaja e tij (të cilën e interpretonte aktorja Tilla Durieux) i qëndronte pranë, ndërsa mjekët po prisnin vdekjen e tij. Asnjë fjalë…..atmosfera ishte e tendosur. …..Aleksandri gjysmë i vdekur ishte i heshtur ………papritur e pakujtuar hidhet dhe flet….. jo sot nuk dua të vdes, nuk dua …të …vdes…. Mjekët aktorë të befasuar nga kjo çmenduri, me zor mbanin të qeshurat…. Gruaja, që i ndodhej pranë e befasuar filloj ti lutej: … ti duhet të vdesësh tashti, o zot i madh, ti duhet të vdesësh, të lutem… Moisiu thërriste i papërmbajtur….Nuk dua….sot nuk dua të vdes……. e padiskutueshme nuk do të vdes këtu…. më nxirr në dhomën pranë….ndoshta …aty mund të vdes…Njerzit të cilët nuk e njihnin pjesën kujtuan se ishin fjalët që përmbante roli. Gruaja (Durieux) me zgjuarsi drejtoj karrocën drejt dhomës tjetër e ndërsa perdja ra, në sallë, publiku i habitur dëgjoj thirrjet e Durieux….. i shkreti burri im, po vdes …..vdiq….

Një mike e Aleksandrit, shkrimtarja Therese Rie alias L. Andro tregon: Moisiu nga pamja e jashtme dukej çuditërisht shumë i ri. Një herë gjatë një aktiviteti në Neuen Wiener Bühne, në zyrën e drejtoreshës Ellen Geyer Neustäder, ai u takua me një aktore të re e cila, meqë nuk e njihte atë, e kujtoj për një fillestar. Me deshirën për të dijtë dicka më shumë për kolegun, vajza e pyet nëse ai ka “gjetur punë” apo luan ndonjë rol diku? Moisiu natyrshëm pohon me kokë. “E ku,… vazhdon me kërshëri vajza,… në Neuen Wiener Bühne? Cilin rol keni ju ketu?” Aleksandri i buzëqeshur përgjigjet: ….po ja ….si të them….luaj Hamletin, … Fedjan te Kufoma e gjallë…..” Çfarë, hidhet vajza, këto janë rolet e Moisiut?” Duke qeshur nga situata e krijuar zonja Neustädter e sqaron aktoren e re që përballë saj ndodhet i gjiganti i skenës gjermane, Aleksandër Moisi./ KultPlus.com

Të ngjajshme