Anti-pushtetet (mbi ekspozitën e piktorit E. Hila, Paris)

5 Nëntor, 2017 - 2:29 pm

Shkruan Luan Rama

Anti-pushtet janë akte revolucionare, janë fjalë, deklarata, vërshime në rrugë, janë tablo, poezi, vepra arti. Anti-pushtetet janë të gjithkohëshme, siç janë dhe në veprat e Edi Hilës, që na prezantohen edhe në ekspozitën e fundme të tij në Paris, e hapur mbrëmë në “Galerie Mitterand”, galeristi i tij francez.

“Tiranë-Versailles” është titulli i kësaj ekspozite për të ballafaquar antipodet në kuptimin e imazhit dhe të semantikës së tyre, por që në thelb Tirana dhe Versaja janë shumë larg, ashtu si vetë buevardet e tyre, pasi edhe pse Versaja kishte në vetvete simbolikën e absolutizmit, përsëri ajo kishte dhe shkëlqimin e artit dhe të prurjes historike, ndërkohë që Tirana mbetet ende rob i pushtetit, çka për Hilën është një koncept i vazhdueshëm, madje në thelb të krijimtarisë së tij prej më shumë se katër dekadash.

Ky piktor është një piktor revolucionar, pasi ai denoncon pushtetet, denncon de-humanizimin që sjellin këto pushtete absolutist, ku shfaqja më spikatëse në këtë ekspozitë është tabloja “Piramidat” e mbytur nga një blu e shplarë dhe që edhe pse imazh real dhe tepër i njohur nga ne por dhe evropianët, ai e vendos në një atmosferë hënore, e vendos në konceptin e dikurshëm që kishin gazetarët perëndimorë për kohën totalitare shqiptare kur për “vendin e shqipeve” shkruanin : “Shqipëria një planet tjetër”.

Shikuesi i afrohet kësaj tabloje, e vështron gjatë, mediton rreth saj dhe e ka vështirë të largohet, pasi ajo, ashtu dhe godina e bashkisë së Tiranës, në tablonë tjetër, po me tonet e blusë së shpëlarë, i tregojnë se kur pushtetet janë dhunuese, ato largohen nga njeriu, nga jeta njerëzore, nga dëshirat dhe nevojat e shoqërisë që pretendojnë se mbrojnë. Ja pse qëllimthi, ngjyrat në këto tablo të Hilës janë të shplara, pa jetë, janë ashtu siç është shpirti i njerëzve, ta që janë përballë ca barrierash si në tablonë “Pritja”, e cila ka një domethënie të madhe:
ç’është kjo pritje, çfarë presin këta njerëz që i shohim me kurriz dhe të rrënuar, ç’është kjo shoqëri e përhumbur, e cila pret si në një “shkretëtire tartarësh” po të rikujtojmë Buzatin? Dhe sa do presin?… Vështron tablotë dhe më kot ta kërkosh njeriun, pasi ai nuk është aty, i përjashtuar nga vetë artisti për të mishëruar idenë e tij të anti-pushtetit. Ai na prezanton kështu pasojën, viktimën, në vend të tij na ofron të shohim shtëpitë-bunker të një kohe.

Por, Hila e tejkalon kufirin e një periudhe historike, ai e çon këtë koncept dhe pas përmbysjes së sistemit politik. Ja pse ka një aktualitet të veçantë vepra e tij si dhe në tablonë “Monumenti” gjithashtu, (ku heroi historik është vendosur në një dekor absurd dhe që s’do ta shohësh), ja pse ka një tingëllim revolucionar në konceptin e tij, një dëshirë për t’i thënë publikut të vendit të vet: Do të prisni ende?…/ KultPlus.com

Të ngjajshme