Aromë molle

19 Prill, 2022 - 11:00 pm

Shkruan: Xhabir Tabaku

Kur isha fëmijë, i kam pas kaluar një pjesë të mirë të pushimeve verore e dimnore në krahinën e Matit. Kryesisht në nji katund me emnin Pleshë, në Guri Bardhë dhe Klos. Kishim shumë miq atje. Ishin miqt e babës. Baba ka pas punue në Mat për gjashtë vite rresht pothuaj. Ka qenë mësues në Burrel, Klos e Guri Bardhë. Baba banonte atje dhe e vizitonte shtëpine një herë në gjashtë muaj. Atje ai s’kishte shtëpi, banonte në shtëpinë e Ymer Efendi Hoxhës. Ata kurrë s’i morën qira babës, je djali jonë i thonin. Kishte miq krejt fshatin por shtëpitë ku ndjehej si në shpinë e tij përveç Hoxhejve ishin shtëpia e Kaçelit, Baletës, Laskut, Musa Karajt, Dezhgiut etj. Akoma sot mbajmë lidhje familjarisht me të gjithë. Kurse unë e motra dhe vëllau, ndjeheshim ma mirë në Pleshë e Klos. Në Pleshë miqtë tanë ishin Balejt, në Klos familja Laçi. Bedriu i biri i Ismailit ishte shoku im si vëlla. Sadiku, i zoti i shpisë i ka pas bâ babës tim vend në një nga odat e kullës, ku flinin krejt familja e tij. Pra si bir të vetin. Ma vonë edhe baba si mirënjohës i mirë që ka qenë mundohej me sa mundte me iu gjend prane bijve e bijave të tyre që vinin me studime në Shkodër. Dihet arsimdashja e matjanëve. Vetëm në Mat kam pa biblioteka në pothuaj çdo shpi të miqve në fshat. E veçantë ishte ke Baleta (shpia e të mirënjohurit Abdi Baleta, baba i ka dhanë mësim dhe e donte shumë), ke Tahir e Selman Hoxha muret dyshem e tavan mbushë sergjenët me libra. Ke Hazizi i Balejve etj. Ke shpija e Balejve në Pleshë pra dhe te shpia e Ismail Laçit në Klos rehatoheshim për pushime ne femijët, sidomos unë. Mama e Izetit (kështu e thirrnin gruan e shpise te Balejt), ishte shpirt njeriu. Zojë e pakrahasueshme. Na donte ne fëmijëve e sidomos mua më llastonte si s’ka ma. Na bënte banjë në mes t’oborrit me ujë kroi, finjë kazani mes avllisë. Mbrëmjeve na lante kambët me duart e saj në një legen bakri të kallaisur.

Më kujtohet si tash kur vinin ca grekër nga jugu dhe kallaisnin enët prej bakri të krejt katundit. Thërrisnin t’madhe: – kallaisi bakri! kallaisi bakri! Jorgo e i vëllai ishin mjeshtra për ketë punen e kallajit.
Kur na shtronte me fjetë Shemja, (mama e Izetit) na puthte krenat ne fëmijëve dhe shtrihej poshtë këmbëve tona derisa na shihte fjetë. Më vjen në hundë akoma sot aroma e mollës që u vinte çarçafëve të bardhë si biluri. Shemja kujdesej për ketë, fuste mollë në turrën me jorganë e çarçafa.

Sigurisht që ditët kulmore kanë qenë përveç vajtjeve ne shé (përrua), dhe lodrimi hurdhave me shokë e shoqe edhe vajtjet ne qytetin e Burrelit. Burreli asht qytet i vogël dhe shtrihet në një rrafsh me rrugë të drejta. Më bante përshtypje që atje ndryshe nga likustrat e blijt që kishim ne në Shkodër, ata e kishin hijeshuar bulevardin e tyre me pemë molle. Mbanin duke u thyer degësh mollat e Burrelit, dhe lëshonin aromë të kandshme. Edhe fakti që askush s’i prekte me dorë ma tërhiqte vemëndjen. Çuditesha si ishin aq të mirë e të ndershëm matjanët.

***

Mbas një mungese të madhe, vjet shkova për vizitë në Mat. Mbajta frymën në Pleshë ke Bala. Aty na prisnin Hazizi me zojen e tij Naimen, Aliu, Isufi e Izeti me zojat e tyre. Nuk ishin fëmijët. Kanë emigruar në Angli, na thanë disi të pikëlluar. Hangrëm drekë. E kush shtron bukë ma bukur se matjanët! Në Klos shkuam bri lumit ke rrapi në një restorant-kafé të dorës së parë, e në Guri Bardhë as u ngjitëm fare. Është boshatisur fshati na thanë. Do do në Tiranë e Durrës e do tjerë jashtë shteti. Mbasdite u shtrimë ndër petka me pushue pak. Nuk u vinte era mollë mâ. Shemja kishte ndërrue jetë, tradita ishte këputur. Në kthim për Shkodër ndaluam në Burrel. Gjithçka kishte ndryshue. Nuk kisha derë me trokit mâ. Të gjithë miqt e babës kishin ndërrue jetë. Mollat i kishin prerë. As aty nuk kishte ma aromen e dikurshme. Tek zbrisnim rrafshnaltës poshtë për kah Shkodra, ma pat qejfi të mbyllja sytë si në të dremitur e si në andërr bashkë. Pashë veten me babën dorëpërdore duke këputun rrugën Klos-Guri Bardh për shkurt nga qaf shkoza tek më tregonte për kohët e shkuara atje. I fola Raufit, djalit të hallës që po grahte makinën në kthim, të më zgjonte kur të mbërrinim te ura e Zogut. Nga ana e Mirditës e urës më kujtohet ka pas qenë një klub. Aty ndalnim me babën dhe më blente gjithçka doja vetë. Baba e merrte ngadalë me Jakun. Jaku ishte banakjer aty për tri dekada. Baba e kishte mik. Me siguri edhe Jaku do ketë vdekur, mendova, e më ra mall. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme